Secondary Adv

Turizmi i afrohet niveleve te parakrizes: 604 mije shtetas te huaj vetem ne qershor

Turizmi po i rikthehet gradualisht niveleve të parakrizës pandemike.

 

Në qershor në vend hynë 604 mijë shtetas të huaj, raportoi INSTAT. Në krahasim me të njëjtin muaj të 2020, kur vendi ishte në pandemi, shifra është 3.4 herë më e lartë. Ndërsa në raport me 2019, hyrjet e shtetasve janë vetëm 4% më të ulëta. Ky rikuperim, në raport me 2019 ka ardhur tërësisht nga turistët nga Kosova. Hyrjet e tyre ishin 62% më të larta në krahasim me qershorin 2019. Shtetasit nga Kosova po mbajnë peshën kryesore t turizmit në vend, duke përbërë 55% të hyrjeve totale në qershor të këtij viti, nga 34% në të njëjtën periudhë të 2019.

 

Maqedonia e Veriut pa një rritje të lehtë prej 1% në krahasim me 2019-n, duke zënë vendin e dytë (11% të hyrjeve në total). Hyrjet e shtetasve të tjera vijuan të ishin me rënie të fortë, sidomos nga Greqia (-65%) dhe nga Gjermania (-49%). Polakët po rikthehen dhe në qershor hynë gati 20 mijë shtetas nga ky vend, ndonëse ende mbeten 23% më ulët se 2019-a.

 

INSTAT raportoi se hyrjet e shtetasve shqiptarë dhe të huaj në territorin shqiptar, në muajin Qershor 2021, janë 939.872. Krahasuar me Qershor 2020, ky tregues rezulton me një rritje 2,6 herë. Në Qershor 2021, numri i shtetasve të huaj që kanë hyrë në territorin shqiptar është 604.381. Krahasuar me Qershor 2020, ky numër është rritur me 3,4 herë.

 

Hyrjet e shtetasve

Numri i shtetasve të huaj të hyrë në Shqipëri gjatë gjashtëmujorit të parë të 2021, është 1.687.919, duke u rritur me 2,2 herë, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2020. Në gjashtëmujorit të parë të 2021, vendet që kanë hyrjet më të larta të shtetasve në Shqipëri, Polonia ka pasur rritjen më të madhe me 13,8 herë dhe Zvicra me 2,7 herë, ndërsa uljen më të ndjeshme e ka pasur Greqia me 69,6 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2020.

 

Daljet e shtetasve

Daljet e shtetasve shqiptarë dhe të huaj nga territori i Shqipërisë, gjatë muajit Qershor 2021, janë 873.582 duke shënuar një rritje me 2,3 herë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Daljet e shtetasve shqiptarë nga territori i Shqipërisë, gjatë muajit Qershor 2021, janë 371.750. Krahasuar me Qershor 2020, ky numër është rritur me 54,3 %.

 

Daljet e shtetasve të huaj nga territori i Shqipërisë gjatë muajit Qershor 2021, janë 501.832. Krahasuar me Qershor 2020, ky numër është rritur me 3,5 herë. Numri i shtetasve shqiptarë të dalë nga territori i Shqipërisë gjatë gjashtëmujorit të parë të 2021, është 1.703.123. Ky tregues është rritur me 23,4 % krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë./Burimi: Monitor


Më të lexuarat