Secondary Adv

Fiskalizimi ne Kosove: Rreth 14 mije biznese operojne pa kasa fiskale

13 mijë e 802 është numri i bizneseve që nuk janë fiskalizuar në Kosovë, e që sipas legjislacionit në fuqi është kërkuar që deri në fund të 2020 të pajisen me kasa fiskale.

 

Kjo pasi Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) ka ngecur në pajisjen e bizneseve me arka fiskale, sipas gjetjeve të Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA). ZKA konsideron se edhe më tutje, po vazhdon të mbetet sfidë në vete për ATK-në fiskalizimi i plotë i të gjitha bizneseve që i plotësojnë kriteret për fiskalizim, përcjell Buletini Ekonomik. Ndërkohë, sipas zyrtarëve përgjegjës në këtë institucion, ATK-ja në vazhdimësi ka pasur probleme në realizmin e këtij projekti duke pasuar parasysh rrethanat dhe ekonominë e Kosovës dhe rezistencën e vazhdueshme të bizneseve për pajisjen me arka fiskale. Ndërkaq në vitin 2020, ata thonë se situata me pandeminë veçse e ka rënduar edhe më shumë këtë proces.

 

Mirëpo, mos pajisja e tatimpaguesve me arka fiskale (PEF) e rritë rrezikun për mungesën e informatave gjatë veprimtarive ekonomike si dhe mundësinë e evazionit tatimor, vlerësojnë nga ZKA. Gjithashtu, kjo rezulton edhe me një konkurrencë jo të barabartë ndërmjet bizneseve që zhvillojnë aktivitete ekonomike. Rekomandimi i Auditorit të përgjithshëm për Drejtorin e Përgjithshëm të ATK është se ai duhet të sigurojë se të gjitha bizneset të cilat i plotësojnë kriteret për fiskalizim do të pajisen me pajisjet elektronike fiskale (PEF) konform kërkesave ligjore.

 

Ndryshe, edhe Udhëzimi Administrativ për shfrytëzimin e pajisjeve elektronike dhe sistemeve fiskale specifikon se të gjithë personat që bëjnë furnizime të mallrave dhe/ose shërbimeve në objektet, njësitë ose vendet të cilat mund të jenë në qasje të publikut, janë të obliguar që të shfrytëzojnë pajisjet elektronike fiskale (PEF) dhe pajisjet tjera të obligueshme për regjistrimin dhe vërtetimin e furnizimit të mallrave dhe shërbimeve.

 

Tutje, një nen tjetër i po këtij Udhëzimi Administrativ sqaron edhe se personi i cili njëkohësisht kryen edhe aktivitete që nuk janë të përjashtuara ose të liruara nga detyrimi i regjistrimit përmes arkës fiskale dhe të transferimit të të dhënave përmes terminalit te serveri i ATKsë, do të jetë prapë i obliguar që çdo qarkullim individual gjatë kryerjes së këtyre aktiviteteve të regjistrojë përmes arkës fiskale si dhe t’i transferojë të dhënat përmes terminalit në server të ATK-së.(Mirjeta Shabani)/Burimi: Buletini Ekonomik


Më të lexuarat