Secondary Adv

Sigurimet rimarin veten pas termetit: Me pak deme te paguara ne 2021

Kompanitë e sigurimeve këtë vit po paguajnë më pak dëme.

 

Sipas të dhënave nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, për 6-mujorin e parë të këtij viti shuma totale e dëmeve të paguara ra në 3.7 miliardë lekë, 8.3% më pak krahasuar me një vit më parë. Rënia e dëmeve ka ardhur nga segmenti më i madh i tregut, ai i sigurimeve të jo-jetës, ku deri tani këtë vit janë paguar 10.6% më pak dëme krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Të njëjtën tendencë kanë edhe dëmet e paguara për fondin e kompensimit të Byrosë Shqiptare të Sigurimit, që për 6-mujorin 2021 janë tkurrur me 11.4%.

 

Raporti i thjeshtë mes dëmeve të paguara bruto dhe primeve të shkruara bruto gjithashtu ka rënë në 42.2%, nga 54.1% që kishte qenë një vit më parë, duke ngelur sidoqoftë në nivele më të larta krahasuar me periudhat para vitit 2020. Vitin e kaluar, tregu i sigurimeve pagoi dëme në vlera të mëdha të lidhura me tërmetin e nëntorit 2019. Në fakt, këto dëme i takonin në pjesën më të madhe risiguruesve dhe jo kompanive shqiptare, që në terma neto vitin e kaluar paguan më pak dëme.

 

Megjithatë, përtej këtij elementi, tërmeti ishte një ngjarje që solli një faturë të konsiderueshme dhe që u reflektua në vlerën totale të dëmeve të paguara në nivel tregu. Sipas vlerësimeve të AMF, fatyra totale e dëmeve të tërmetit arriti në rreth 4.7 miliardë lekë ose rreth 38 milionë euro. E gjithë rënia në vlerën e dëmeve të paguara në fakt ka ardhur pikërisht nga produkti i sigurimit të katastrofave, ku për 6-mujorin e parë të vitit dëmet e paguara kanë rënë me 75% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

 

Për klasat e tjera të sigurimit dëmet paraqiten në rritje me ritme dyshifrore. Veçanërisht sigurimet e detyrueshme motorrike kanë një rritje të fortë të vlerës së dëmeve të paguara me 57.5%. Kjo mund të lidhet edhe me efektet e kufizimeve në gjysmën e parë të vitit të kaluar, që sollën përkohësisht ulje të qarkullimit, aksidenteve dhe rrjedhimisht edhe dëmeve për siguruesit. Këtë vit, rritja e dëmeve duket se tregon më shumë një rikthim drejt normalitetit. Sigurimet e detyrueshme motorrike janë kthyer të dominojnë strukturën e dëmeve të tregut, me më shumë se 50% të dëmeve totale të paguara për periudhën.

 

Ajo që bie gjithashtu në sy është një rritje e fortë e dëmeve në tregun e sigurimit të jetës, me 60% më shumë krahasuar me një vit më parë. Ky treg duket se ka vuajtur pasojat e rritjes së numrit të vdekjeve, për shkak të pandemisë. Në produktin kryesor, atë të sigurimit të jetës së debitorit, vlera e dëmeve për 6-mujorin 2021 është rritur me 146% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar./Burimi: Monitor


Më të lexuarat