
Taksat e reja vendore per infrastrukturen dhe tokat urbane
Në legjislacionin për financat vendore do të rishikohet taksa mbi tokën urbane dhe taksa e ndikimit në infrastrukturë, si edhe disa tarifa. Strategjia 2015-2020 parashikon vendosjen e sistemit të taksave të ndara kombëtare.
Sipas Strategjisë Ndërsektoriale për Decentralzimin dhe Qeverisjen Vendore 2015-2020, në përgjithësi, normat treguese të taksave të përcaktuara me ligj do të rishikohen dhe NJQVve do t’u jepet më shumë liri veprimi për përcaktimin e nivelit dhe bazës së taksës (në varësi të llojit të taksës). Do të prezantohen rregullat specifike për llogaritjen e tarifave vendore.
Strategjia 2015-2020 parashikon vendosjen e sistemit të taksave të ndara kombëtare, “në përputhje me praktikat më të mira evropiane dhe do të rishikohet çdo dy vjet mjaftueshmëria e burimeve financiare për të kryer funksionet e përcaktuara me ligj”. Në vendin tonë, aktualisht ekzistojnë vetëm dy taksa kombëtare, që ndahen me qeverisjen vendore, të cilat janë taksa e regjistrimit të përvitshëm të mjeteve motorike dhe renta minerare. Edhe pse ka dispozita ligjore për ndarjen e taksës mbi të ardhurat personale (TAP) kjo nuk është materializuar asnjëherë.
Njësitë vendore
Sipas Këshillit të Ministrave, autoriteteve vendore nuk do t’u vendosen kufizime në përdorimin e të ardhurave të veta, si dhe do të kenë lirinë të bëjnë shpenzime edhe për funksione apo projekte jashtë kompetencës së tyre, por brenda interesit publik vendor.
Përveç rishikimit dhe miratimit të legjislacionit, do të ndërmerren masa të rëndësishme për rritjen e kapaciteteve për mbledhjen e taksave të njësive të qeverisjes vendore. Ndryshimet e reformës administrative-territoriale do të shoqërohen me ndryshimin e organizimit të brendshëm të NJQV-ve, në mënyrë që ato të përshtaten me kërkesat e administrimit të një territori edhe më të madh. Menjëherë pas ndryshimit dhe konsolidimit të kufijve territorial, ngritjes së strukturave të reja dhe metodologjive për riorganizimin e punës, do të bëhet përgatitja e planeve të punës.
“Ngritja e kapaciteteve të stafit përkatës të NJQV-së, si edhe të zgjedhurit e rinj, pas zgjedhjeve vendore të vitit 2015, do të luajnë një rol kyç në zbatimin e legjislacionit, një rol që do të varet shumë në profesionalizmin dhe aftësitë e tyre” thekson Këshilli i Ministrave në Strategjinë 2015-2029.
Të ardhurat
Taksa vendore e pasurisë në kuadër të të ardhurave të qeverisjes vendore në Shqipëri përbën 0.22% të PBB-së. Që nga viti 2010, taksa e ndikimit në infrastrukturë ka pësuar rënie të madhe (si pasojë e rënies së aktivitetit të ndërtimit dhe ndryshimeve ligjore në fushën e planifikimit dhe zhvillimin e territorit). Nga ana tjetër, taksa e pasurisë është kthyer në një burim të rëndësishëm dhe të qëndrueshëm të të ardhurave të veta të pushtetit vendor, duke zënë rreth 22 % të të ardhurave fiskale (tatimore dhe jotatimore) të njësive vendore.
Reforma
Sipas Këshillit të Ministrave, reforma e decentralizimit fiskal do të vazhdojë edhe më tej dhe do të krijojë mundësi që qeveritë vendore të kenë më shumë burime financiare, në mënyrë që ato të kryejnë funksionet dhe kompetencat e tyre në mënyrë efikase dhe të qëndrueshme. “Për të arritur këtë synim, do të ndërmerren nisma të rëndësishme ligjore, duke përfshirë hartimin e ligjit të ri integral për financat e qeverisjes vendore, të paketës së re të decentralizimit fiskal, i cili do të përfshijë zbatimin e konceptit të ndarjes së taksave kombëtare, si dhe përmirësimin e kritereve të ndarjes së transfertës së përgjithshme nga buxheti i shtetit për qeveritë vendore” thekson dokumenti./ Shqiptarja.com
Më të lexuarat








