Secondary Adv

Mbi 46 mije biznese kerkojne punonjes: Industria perpunuese me e prekura

Thuajse të gjithë sektorët e ekonomisë në vend po përballen me mungesë të punonjësve në periudhën post-COVID-19.

 

Shkak për një situatë të tillë nuk është bërë vetëm situata me pandeminë por një sërë faktorësh të tjerë, siç është mungesa e zanatçinjve, largimi i krahut të punës jashtë vendit, problemet me arsimin dhe orientimin profesional të nxënësve jo në përputhje me nevojat e tregut, për të kaluar më pas tek problemet me pagat e ulta (në industrinë përpunuese sidomos në fasoneri), mungesa e sigurimit në punë, mos-pasja e kontratave të punës apo informaliteti nëpër sipërmarrje. Të gjitha këto faktorë po ndikojnë në aktivitetin ekonomik të sipërmarrjeve, të cilat nuk po punojnë me kapacitet të plotë për shkak të mungesës së punonjësve.

 

Sipas të dhënave zyrtare të siguruara nga REPORT TV, janë 46.544 biznese që janë të regjistruar pranë Agjencisë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive dhe kërkojnë punonjës. Minimalisht tregu i punës aktualisht vuan mungesën e 50 mijë punëtorëve. Numri më i lartë i punëdhënësve që kërkojnë punonjës është në rajon e Durrësit. Konkretisht sipas Agjencisë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive, 29%  e kërkesave për punonjës vjen nga ky rajon.

 

Kërkesat për punëtor sipas rajoneve:

- Rajoni Durrës 29%

- Rajoni Tiranë 20%

- Rajoni Elbasan 12%

- Rajoni Vlore   7%

 

Pak ditë më parë Report TV ka ngritur shqetësimin për mungesën e fuqisë punëtore në sektorin e manifakturës, të cilët pohuan se do i drejtoheshin tregut të huaj pasi ju duheshin mbi 10 mijë punonjës, ndërsa Agjencia thotë në shkresë zyrtare për Report TV se subjektet më në vështirësi për krah pune është industria përpunuese.

 

Kërkesat për punonjës sipas sektorëve:

- 35%   Industria përpunuese 

- 12%  Tregtia me shumicë dhe me pakicë; Riparimi i automjeteve dhe motoçikletave

- 12%  Akomodimi dhe shërbimi ushqimor

 

“Në industrinë përpunuese rezultojnë të regjistruar 5,247 subjekte, prej tyre 941 subjekte kanë shpallur VLP. Në sektorin e Akomodimit dhe shërbimi ushqimor rezultojnë te regjistruara 6,052 subjekte prej tyre 338 subjekte  kane shpallur VLP”, thuhet në përgjigjen e Agjencisë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive./Burimi: Shqiptarja.com


Më të lexuarat