
Polarizohet zhvillimi i rajoneve: Varferohet Veriu, pasurohet Tirana
Nga viti në vit, të dhënat ekonomike të 12 qarqeve të vendit po tregojnë zhvillim të pabarabartë.
Sipas INSTAT, në 10 vitet e fundit, ekonomia e rajonit të Qendrës është rritur mesatarisht me 3.4% në vit, Rajoni i Veriut u rrit mesatarisht me 2.4% në vit, ndërsa Jugu me 2.6%. Qarku më i varfër, Kukësi, shënoi rënie të ekonomisë gjatë dekadës me 2.7%, duke u varfëruar më tej. Zhvillimi ekonomik i rajoneve është ndikuar negativisht nga emigracioni i lartë, teksa mungojnë politikat zhvillimore me fokus qarku. Ekspertët bëjnë thirrje për një diagnozë të re të varfërisë dhe projekte që sigurojnë zhvillim të qëndrueshëm të qarqeve të varfra. Rritja ekonomike e vendit në dekadën e fundit është shpërndarë në mënyrë të pabarabartë në rajonet e tij. Vit pas viti, qendra e vendit po fuqizohet ekonomikisht, kurse rajonet e Veriut dhe Jugut janë rritur nën mesataren kombëtare.
Qarqet e Dibrës dhe Kukësit, që u vlerësuan si më të varfrat në 2011, janë varfëruar më tej në dekadën e fundit. Politikat ekonomike dhe sociale nuk po sigurojnë kohezionin social dhe për shkak të kësaj dukurie, qarqet e vendit, sidomos Veriu, po shpopullohet me shpejtësi duke zgjedhur emigracionin kryesisht, edhe pse disponojnë burime natyrore të shumta. Instituti i Statistikave publikoi së fundmi ndryshimet në Prodhimin e Brendshëm të Bruto të Rajoneve në të cilin u rezultoi se në tre qarqe ekonomia ishte me rënie në vitin 2019, Dibra me 3%, Kukësi me 2.8% dhe Berati me 2%%.
Në të kundërt, qarqet me rritjen ekonomike të lartë ishin Durrësi me 4.3%, Gjirokastra me 4%, Fieri me 3.25 dhe Tirana mbi 2.5%. Në rang vendi, ekonomia u zgjerua me 2.1% në vitin 2009. E ndarë sipas rajoneve, qendra ku bën pjesë Tirana dhe Elbasani u rritën mbi mesataren kombëtare me 2.2%. Rajoni i Veriut me qarqet e Dibrës, Kukësit, Durrësit, Lezhës, Shkodrës u rrit me 2.1% thuajse në mesataren kombëtare, kryesisht prej zgjerimit të ekonomisë së Durrësit, i cili në 2019 u ndikua nga zhvillime pozitive në turizëm.
Rajoni i Jugut me qarqet e Beratit, Fierit, Gjirokastrës, Korçës dhe Vlorës u rrit 1.78% me ritme më të ulëta se mesatarja kombëtare, për shkak të ndikimeve negative në ekonominë e Beratit. Gjatë 10 viteve të fundit, ekonomia e rajonit të Qendrës është rritur mesatarisht me 3.4% në vit, Rajoni Veriut u rrit mesatarisht me 2.4%, ndërsa i Jugut me 2.6. Merita Toska, nga Co-Plan, njohëse e financave vendore, tha se, pabarazitë në vend janë të dukshme dhe thellohen çdo ditë më shumë, në disa nivele. Ajo pohoi se diferenca në nivelin ekonomik po theksohen në nivel rajoni, qarku, në nivel bashkie dhe në terma urbanë dhe ruralë.
Shpërndarja e burimeve të rritjes në territor, sipas saj, është përcaktuese për këto diferenca, gërshetuar dhe me faktorë të tjerë. Politikat rishpërndarëse janë të vakëta dhe nuk po arrijnë të japin rezultate për t’i zbutur këto pabarazi. Edhe pse qeveritë tashmë kanë një hartë të rajonalizuar dhe të detajuar për varfërinë që në vitin 2011 nuk kanë mundur të shpërndajnë në mënyrë t’i drejtë burimet ekonomike. P.sh, rajoni më i varfër i vendit, Kukësi, në vitin 2019 kishte një ekonomi më të vogël se në vitin 2009.
Sherefedin Shehu, ish-zv.ministër i Financave, ekspert për politikat rajonale, tha se arsyet kryesore të thellimit të varfërisë në qarqet e varfra janë mungesa e politikave efektive ekonomike dhe sociale. Politikat sociale në Shqipëri nuk garantojnë mbështetje reale për të varfrit, pasi ato ofrojnë një mbështetje simbolike financiare, e cila ka mbetur pothuajse e pandryshuar prej më shumë se 25 vitesh dhe indeksimi i saj është disproporcional krahasuar me rritjen e shumëfishtë të kostos së jetesës, tha Shehu./Burimi: Balkanweb
Më të lexuarat









