Secondary Adv

Gjykata e Larte merr vendimin: Gradat vetem me konkurs ne Policine e Shtetit

Gjykata e Lartë vendos se askush nuk mund të fitojë një gradë pa ju nënshtruar më parë konkursit me komisionin e ngritur nga policia e shtetit.

 

 Sipas pikës 66 të vendimit thuhet: “Në vijim të përfundimit njësues Kolegji vlerëson se plotësimi i kriterit të ushtrimit të funksionit të kërkuar për gradën e pretenduar dhe vjetërsisë në gradë, nuk mund të sjell përfitimin gjyqësisht të gradës policore të pretenduar, pa iu nënshtruar procedurës së konkurrimit vlerësues nga komisioni i gradimit, në përputhje me parashikimet e ligjit nr. 108/2014”. Prej kohësh gradat në policinë e shtetit fitoheshin me konkurs dhe praktikë gjyqësorë, ndërsa nga kjo e hënë, 2 gusht 2021, askush nuk mund të fitojë më një gradë në polici pa konkurs.

 

"Gjykata e Lartë vlerëson me rëndësi koherencën në praktikën gjyqësor,si dhe interpretimin e drejtë dhe uniform të ligjit nga ana e të gjitha gjykatave të faktit të Republikës së Shqipërisë. Në vazhdën e publikimit të vendimmarrjes së kolegjeve të Gjykatës së Lartë, në ndihmë zbatuesve të së drejtës dhe opinionit publik, Kolegji Administrativ i kësaj gjykate njofton se në datën 15.07.2021, mori në shqyrtim në seancë gjyqësore çështjen administrative me nr.31003-01562-00-2018 Regjistri Themeltar, e cila shënon vendimin e parë njësues të këtij Kolegji në fushën e të drejtës administrative.

 

Në përfundim të këtij gjykimi, Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë konkludoi në sentencën unifikuese:

 

Procesi i fitimit të gradave policore nga niveli “Nënkomisar” deri në nivelin “Drejtues i Parë”, duhet t’i nënshtrohet domosdoshmërisht procedurës së vlerësimit konkurrues, sipas parashikimeve të neneve 50-60 të ligjit nr. 108/2014 “Për Policinë e Shtetit”. Plotësimi i kritereve formale për fitimin e gradës, si vjetërsia në gradën pararendëse dhe/ose ushtrimi efektiv i funksionit në përputhje me gradën e pretenduar, nuk mund të sjellin fitimin gjyqësisht të gradës policore, pa iu nënshtruar më parë punonjësit e Policisë së Shtetit një procesi vlerësimi konkurrues nga komisioni i gradimit", thuhet në njoftimin e Gjykatës së Lartë./Burimi: Shqiptarja.com


Më të lexuarat