Renie drastike ne numrin e bagetive: Shkak zhvillimet demografike
Zhvillimet demografike në vend si emigracioni i lartë, plakja e popullsisë dhe braktisja e fshatrave ka sjellë rënie drastike në numrin e bagëtive.
Rënia është stimuluar edhe nga mungesa e fizibilitetit në ferma, të cilat përballen me kosto të larta si pasojë e importit të bazës ushqimore dhe mungesës së subvencioneve. Sipas të dhënave të INSTAT, në vitin 2020, gjedhi shënoi rënie me 12.7% në krerë, por në disa rrethe të vogla, ku popullsia është më plakur, numri i gjedhëve është përgjysmuar në një vit. Nga të dhënat më të detajuara të INSTAT, sipas bashkive, numri i gjedhit ra me 58.6% në Dropull, 47.1% në Malësinë e Madhe, 44% në Gjirokastër, 36% në Memaliaj, 30% në Divjakë etj. Duke iu referuar të dhënave të popullsisë shihet se, rënia e bagëtive, sidomos gjedhit është më e pranishme në zonat ku popullsia është më e plakur.
Blegtoria në Shqipëri është e organizuar në ferma të vogla familjare, ku çdo familje mban një ose dy lopë kryesisht për konsum, bulmet dhe mish. Teksa të rinjtë janë larguar ose nuk preferojnë të mbarështojnë kafshët, mosha më e vjetër nuk mund të kujdesët për bagëtitë, sidomos gjedhin. Shumë prej ekonomive familjare në fshat kanë hequr dorë nga kujdesi për gjedhin, duke rrezikuar kështu edhe ekzistencën e racave autoktone. Numri i krerëve të gjedhit shënoi rritje vetëm në Has, Kukës, Tropojë, Fushë-Arrës, ku zonat ende kanë një popullsi të re në moshë.
Nga ana tjetër, edhe fermat e mëdha të gjedhit që lulëzuan pas krizës ekonomike globale të vitit 2008, nuk rezultuan efikase. Falimentet në sektor janë shtuar për arsye të mungesës së fizibilitetit. Mungesa e subvencioneve dhe importi i bazës ushqimore e nxjerr prodhimin e qumështit nga fermat shqiptare me kosto më të lartë se importi. Alban Zusi, i cili ka nisur të prodhojë ushqim për kafshët në një nga impiantet e fabrikës së tij, thotë se nga kostot e bazës ushqimore ulen më së paku 30% nëse prodhohen në vend.
Numri i gjedhëve në vitin 2020 është 362.583 krerë me 2020, duke shënuar rënie me 12,76%, në krahasim me vitin 2019. Përqendrimi më i madh i numrit të krerëve është në Qarkun e Fierit me 16,15% dhe në Qarkun e Korçës me 10,87% ndaj numrit gjithsej të gjedhëve. Sipas INSTAT, në vitin 2020, në të gjithë vendin numëroheshin 362 mijë krerë gjedhë nga 415 ijë që ishin më 2019./Burimi: Monitor