
Rregullorja e re per territorin, ndalohen pallatet dhe resortet deri ne 200 m larg detit
Qeveria ka miratuar rregulloren e re për planifikimin e territorit, rregullore e cila nëse zbatohet do të hedh në erë interesa të fuqishme pranë të gjitha qeverive në Shqipëri.
Rregullat më të nxehta lidhen me ndërtimet gjatë vijës bregdetare në Shqipëri. Por cili do të jetë fati i qindra pallateve, hoteleve dhe banesave me zbatimin e rregullores së re, e cila është botuar në Fletoren Zyrtare?
Rregullorja nuk parashikon një distancë të re nga bregu i detit, ku nuk lejohen ndërtimet, por thekson respektimin e distancës në ligjet aktuale, e cila është 200 metra nga bregu i detit. Me hyrjen në fuqi të kësaj rregulloreje, kjo qeveri do të jetë para një prove të madhe, pasi disa deputetë të saj kanë ndërtuar edhe 30 metra pranë detit, madje edhe në det. Ndërkaq, në rregulloren e re parashikohet që rrugët urbane dhe interurbane të ndërtohen në një distancë jo më pak se 300 metra larg vijës bregdetare.
“Në zonat turistike në bregdet dhe liqen, rrugët e reja për qarkullimin transit, të klasifikuara sipas Kodit Rrugor në kategoritë “autostradë” dhe “rrugë interurbane”, ndërtohen në largësi nga vija e bregut, e përcaktuar sipas legjislacionit për burimet ujore, jo më pak se 300 metra në distancë reale dhe normale me vijën e bregut përgjatë gjatësisë së saj. Distanca matet nga vija kufizuese e trupit të rrugës së re. Rrugët e nevojshme të shërbimit për këto kategori nuk vendosen në hapësirën midis rrugës dhe bregut”, thuhet në rregulloren e re.
Në rregulloren e re janë përcaktuar edhe zonat ku nuk lejohen ndërtimet në bregdet. “Intensiteti i ndërtimit dhe koeficienti i shfrytëzimit të tokës në nivel zone të banuar nuk rriten mbi atë ekzistues në territoret turistike bregdetare, pavarësisht nivelit ekzistues të urbanizimit. Përmasat e brezit të ndaluar për ndërtime sipas legjislacionit të posaçëm për menaxhimin e integruar të ujërave duhet të rriten në përpjesëtim të drejtë me arsyen për mbrojtje në rast se kushtet fizike të bregut ujor janë të tilla, që:
a) tokat janë të përmbytura ose kërcënohen nga përmbytja, rrëshqitja, erozioni dhe paqëndrueshmëria e tokave;
b) mbartin vlera natyrore, ekonomike, peizazhistike, vlera kulturore, mjedisore, të cilat mbrohen nga dispozita ligjore sektoriale në fuqi;
c) mbartin çështje të rëndësisë kombëtare, të cilat ruhen dhe/ose zhvillohen sipas legjislacionit të posaçëm”, thuhet në strategji.
Planet e rregullimit
Rregullorja parashikon disa rregulla edhe për planet e përgjithshme. “Planet e përgjithshme, që trajtojnë territoret turistike bregdetare, parashikojnë në çdo rast hapësira publike dhe të paprekura natyrore, që:
a) shtrihen në drejtim normal me vijën bregdetare;
b) shërbejnë si kufizuese të shtrirjes së zhvillimeve urbane në bregdet;
c) nuk ndërtohen, nuk lihen djerrë dhe gjithmonë janë të pyllëzuara, përdoren si kullota ose për kultivim kulturash bujqësore në përputhje me analizat e përshtatshmërisë së tokës.
Brezat dhe hapësirat pyjore ekzistuese në zonat turistike nuk mund të preken nga ndërtimet, përveçse kur përcaktohet ndryshe nga legjislacioni i posaçëm. Pa rënë në kundërshti me këtë nen, ndërtimi në territoret e zonave turistike në bregdet kryhet në përputhje me legjislacionin e posaçëm në fuqi. Për ndërtimet në afërsi të brigjeve ujore respektohen distancat e përcaktuara në legjislacionin e posaçëm”, thuhet në rregullore.
Më të lexuarat








