
Licensimi i kompanive qe ofrojne sherbime inovative: Tarifa e aplikimit tek AKSHI, 1 mln leke
Kompanitë që dëshirojnë të ushtrojnë veprimtarinë si ofrues të shërbimit inovativ, duhet të dorëzojnë aplikimin për licencim sipas kritereve të miratuara në Fletoren Zyrtare.
“Rregullorja e licencimit për subjektet që ushtrojnë veprimtarinë e tyre si ofrues të shërbimeve inovative, mënyrën e vlerësimit të kritereve të veçanta për sipërmarrjet e automatizuara të investimeve kolektive dt, si dhe certifikimin e marrëveshjes së teknologjisë inovative” është hartuar në mbështetje të ligjit “Për tregjet financiare të bazuara në teknologjinë e regjistrave të shpërndarë”. Pika e parë e nenit 106 të ligjit përcakton se brenda 6 muajve nga hyrja në tij duhet të miratohen aktet nënligjore rregulluese që i përkasin fushës së përgjegjësisë së Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë. Ligji “Për tregjet financiare të bazuara në teknologjinë e regjistrave të shpërndarë” ka hyrë në fuqi nga 1 shtatori 2020 synon të rregullojë infrastrukturën mbi bazën e së cilës funksionon teknologjia e regjistrave të shpërndarë “Distributed Ledger Technology” (DLT).
Rregullorja me kriteret e licencimit përcakton se fillimisht subjektet e interesuara duhet të dorëzojnë pranë AKSHI-t paketën e dokumenteve, si për aksionarët dhe burimin e kapitalit; dokumentet në lidhje me politikat, rregulloret e brendshme, procedurat dhe sistemet e shoqërisë; për plotësimin e kritereve të kapitalit fillestar dhe fondeve të veta të shoqërisë dhe dokumentet mbi plotësimin e kritereve të zotërimit të njohurive, aftësive dhe përshtatshmërisë dhe njohurive të duhura teknike.
Pas dorëzimit të aplikimit për marrjen e licencës si ofrues i shërbimeve inovative subjektet duhet t’i paguajnë AKSHI-t tarifën e aplikimit prej 1, 000, 000 lekë. Për subjektet që aplikojnë për certifikimin e marrëveshjes së teknologjisë inovative duhet t’i paguajnë AKSHI-t tarifën prej 200,000 lekë. Ndërsa tarifa vjetore e titullarit të licencës do të jetë 300,000 lekë dhe paguhet brenda muajit janar të çdo viti.
Pas marrjes në dorëzim të formularit të aplikimit dhe paketës së dokumenteve, AKSHI kryen shqyrtimin dhe vlerësimin e tyre në përputhje me dispozitat e kësaj rregulloreje dhe legjislacionit në fuqi. Gjatë procesit të shqyrtimit dhe të vlerësimit të kërkesës për licencim, AKSHI kryen një analizë gjithëpërfshirëse të dokumenteve, duke marrë në konsideratë përmbushjen e kritereve ligjore nga aksionarët, administratori dhe anëtarët e këshillit mbikëqyrës. Refuzimi i aplikimit për licencim ndodh në rast se subjekti i interesuar nuk ka kryer pagesën e tarifës, dorëzon dokumente të falsifikuara ose kur AKSHI gjykon mbi baza të arsyeshme se subjekti kërkues nuk do të jetë i aftë të plotësojë në të ardhmen kushtet e kriteret për licencim.
Ligji “Për tregjet financiare të bazuara në teknologjinë e regjistrave të shpërndarë” rregullon kushtet për licencimin, ushtrimin e aktivitetit të operatorëve dhe bursave si edhe mbikëqyrjen e tyre. Ai gjithashtu rregullon kushtet për emetimin dhe tregtimin e tokenëve digjitalë dhe monedhave virtuale dhe autorizimin nga autoritetet kompetente, si: shfrytëzimin e potencialit të Fintech dhe të teknologjisë DLT; uljen potenciale të kostove të sistemit të pagesave; nxitjen e financimeve për ekonominë vendase nëpërmjet burimeve alternative të financimit; tërheqjen e investitorëve të huaj dhe krijimin e përfitimeve ekonomike për vendin./Burimi: Monitor
Më të lexuarat








