Secondary Adv

Borxhi i varur ne renie: Bankat mbeshteten ne kapitalet e veta

Borxhi i varur i sistemit bankar është në rënie të lehtë gjatë këtij viti.

 

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se borxhi i varur në fund të tremujorit të parë kishte vlerën e 12.6 miliardë lekëve, me një rënie prej 19% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Në rastin e bankave, borxhi i varur shërben kryesisht si instrument plotësues në kapitalin rregullator. Pakësimi i borxhit të varur tregon kryesisht një mbështetje më të mëdha në fondet e veta dhe në format më të cilësore të kapitalit. Në vitet e fundit, sistemi ka qenë përgjithësisht fitimprurës dhe masat e përkohshme të Bankës së Shqipërisë kanë pezulluar pjesërisht shpërndarjen e dividendëve, deri në kalimin e pasigurisë që ka përcjellë pandemia.

 

Rregullorja “Për mjaftueshmërinë e kapitalit” i njeh instrumentet e borxhit të varur të bankave si kapital rregullator i nivelit të dytë, deri në një masë të caktuar (njihet rreth një e treta e vlerës nominale). Megjithatë, borxhi i varur zë një peshë relativisht të ulët ndaj kapitalit total rregullator të sektorit bankar shqiptar. Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, në fund të tremujorit të parë borxhi i varur përbënte rreth 8% të kapitalit rregullator të sistemit bankar. Në pjesën dërrmuese, kapitali i sektorit konsiston në instrumente të nivelit të parë, si kapital i paguar, rezerva, fitime të mbartura apo prime aksionesh.

 

Borxhi i varur i bankave mund të financohet në dy forma kryesore: përmes huadhënies së aksionerëve të bankës ose përmes emetimit të obligacioneve me ofertë private, që iu ofrohen për blerje individëve apo subjekteve të zgjedhur nga vetë emetuesi. Huadhënia e aksionerëve zakonisht aplikohet nga bankat që iu takojnë grupeve të huaja bankare, si formë e përkohshme e mbështetjes me kapital rregullator shtesë. Ndërkohë, obligacionet me ofertë private janë përdorur sidomos nga bankat me kapital shqiptar.

 

Në rastin e bankave, blerës të obligacioneve me ofertë private janë sidomos individë që kanë depozita në shuma të konsiderueshme dhe për të cilët blerja e obligacioneve mund të jetë një alternativë shumë më fitimprurëse se depozita vetë.

 

Borxhi i varur përgjithësisht ka interesa më të larta se instrumentet e tjera të tregut në të njëjtën periudhë, sepse ai klasifikohet si borxh me rrezik më të lartë. Në rast të një falimentimi eventual të emetuesit, borxhi i varur klasifikohet në fundin e detyrimeve për t’iu shlyer kreditorëve të subjektit dhe është, rrjedhimisht, instrumenti me rrezikun më të lartë për të pësuar humbje në një skenar të tillë hipotetik.

 

Gjithashtu, borxhi i varur në rastin kur financohet përmes obligacioneve me ofertë private ka dizavantazhin që nuk mund të tregtohet apo të shlyhet para maturimit. Klienti përfiton kuponin me frekuencën e përcaktuar në marrëveshje (zakonisht çdo gjashtë muaj), por nuk mund të marrë mbrapsht paratë në rast nevoje, deri në momentin kur obligacioni maturohet. Në kushtet kur nuk mund të tregtohet, obligacioni me ofertë private ngelet një instrument i ngurtë dhe, në teori, pak likuid./Burimi: Monitor


Më të lexuarat