Secondary Adv

BSH publikon vrojtimin: Besimi i bizneseve ne ekonomi mei larti i 4 viteve te fundit

Rigjallërimi i aktivitetit ekonomik këtë verë pas muajve të zymtë të Pandemisë e ka rritur treguesin e besimit në ekonomi në nivelet më të larta që prej katër vitesh.

 

Banka e Shqipërisë ka publikuar vrojtimin më të fundit mbi treguesin e ndjesisë ekonomike, I cili është ngjitur më nivelin e 110.4, duke pasqyruar përmirësimin e besimit në të gjithë sektorët e biznesit në një kohë që besimi konsumator mbeti i pandryshuar nga niveli i muajit qershor. Treguesi i besimit të industrisë (TBI) u rrit me 4.3 pikë përqindje krahasuar me muajin e kaluar, i ndikuar kryesisht  nga  vlerësimet  pozitive  të  bizneseve  për  prodhimin  aktual.  Vlerësimi  i  tyre  për  kontratat porositëse në total ishte pak më i ulët se ai i muajit qershor, ndërsa ishin më optimistë për rritjen e kontratave porositëse  nga  eksportet.  Gjithashtu,  bizneset  e  industrisë  presin  rritje  të  prodhimit  dhe  të  punësimit  në muajt në vijim.

 

Treguesi i besimit në ndërtim (TBN) vijoi prirjen rritëse në muajin korrik, duke qëndruar në nivelin më të lartë të pesë viteve të fundit. TBN-ja u rrit me 5.8 pikë përqindje në krahasim me një muaj më parë, e ndikuar nga të dy komponentët përbërës: porositë aktuale dhe aktiviteti ndërtues aktual. Treguesi i besimit në shërbime (TBSH) regjistroi rritje për të katërtin muaj rresht, duke arritur nivelin më të  lartë  që  nga  muaji  maj  2018.  Rritja  e  tij  me  8.6  pikë  përqindje  në  muajin  korrik  u  ndikua  si  nga komponenti i lidhur me ecurinë e biznesit ashtu edhe nga komponenti i lidhur me kërkesën.

 

Treguesi  i  besimit  në  tregti  (TBT)  vijoi  prirjen  rritëse  të  nisur  që  nga  muaji  gusht  i  vitit  të  kaluar. Aktualisht TBT-ja  shënon nivelin  më  të  lartë  të  pesë  viteve  të  fundit.  Në  krahasim  me  muajin  e  kaluar,  TBT-ja u rrit me 4.8 pikë përqindje, e ndikuar kryesisht nga vlerësimet e bizneseve për ecurinë aktuale të biznesit të tyre. Komponenti tjetër i TBT-së, pritjet për punësimin në të ardhmen, regjistroi një rritje të ulët gjatë muajit korrik (Tabelë 2, sektori i tregtisë).

 

Treguesi i besimit konsumator (TBK) mbeti i pandryshuar në muajin korrik, në krahasim me një muaj më parë, pasi kishte shënuar rritje në tre muajt paraardhës. Niveli i tij qëndron ende nën mesataren e vet afatgjatë.  Komponentët  përbërës  të  TBK-së  shënuan  ndryshime  me  kahe  të  kundërta.  Nga  njëra  anë, vlerësimi  i  konsumatorëve  për  blerjeve  aktuale  në  shuma  të  mëdha  dhe  pritjet  për  to  u  përmirësuan  në korrik; nga ana tjetër, pritjet për situatën e përgjithshme ekonomike dhe situatën e tyre financiare ranë lehtë./Burimi: Scan TV


Më të lexuarat