Secondary Adv

Zbardhet gjurma e gazsjellesit IAP: Do kaloje ne 12 bashki te vendit

Tubacioni i gazsjellësit Joniano-Adriatik do të kalojë në 12 bashki të ndryshme të vendit.

 

Raporti i Vlerësimit të Ndikimit Mjedisor dhe Social paraqet në detaje të gjithë zonat se ku do të kalojë tubacioni, duke specifikuar se gjurma e IAP kalon në zonën më të populluar të Shqipërisë. Më konkretisht popullsia më e lartë regjistrohet në bashkitë: Kamëz, Kavajë, Rrogozhinë, Tiranë, Vorë dhe Krujë, ndërsa më pak të populluara janë bashkitë: Divjakë, Fier, Kurbin, Lezhë, Shkodër dhe Vau i Dejës. Po ashtu, sipas dokumentit, gjurma e IAP përshkon kryesisht tokat bujqësore të qarqeve Shkodër, Lezhë, Durrës, Tiranë dhe Fier, kryesisht në njësi më të vogla bujqësore (ngastra) të tokës së punueshme, kullotave dhe tokës bujqësore me sipërfaqe të konsiderueshme vegjetacioni natyror.

 

Gazsjellësi IAP është pjesë e sistemit ndërkombëtar të transmetimit të gazit që kalon nëpër Shqipëri, Mal të Zi dhe Kroaci e që lidh sistemin kroat të transmetimit të gazit me Gazjellësin Trans-Adriatik në pikën marrëse në Shqipëri. Gjatësia e përgjithshme e tubacionit të gazit nga qyteti kroat Split deri në qytetin shqiptar Fier është 520 km dhe shtrihet kryesisht në tokë përgjatë bregdetit Adriatik dhe atij Jonian.

 

Gjatësia e tubacionit në seksionin shqiptar do të jetë afërsisht 170.3 km dhe do të ketë 13 instalime sipërfaqësore. Tubacioni nis në afërsi të fshatit Seman, ndërkohë që pika lidhëse me Malin e Zi është në lumin Buna. Ndërtimi i përgjithshëm i seksionit shqiptar të gazsjellësit Joaniano-Adriatik, parashikohej të niste në mes të vitit 2021, por deri më tani, në terren nuk ka zhvillime.

 

BASHKITË KU KALON GAZSJELLËSI IAP

Kamëz

Kavajë

Rrogozhinë

Tiranë

 

Vorë

Krujë

Divjakë

Fier

 

Kurbin

Lezhë

Shkodër

Vau i Dejës/Burimi: SCAN


Më të lexuarat