Rritja e ekonomise per vendet e Rajonit: Kosova kryeson ne 2021
Në garën rajonale për zhvillimin e ekonomisë Shqipëria vazhdon të tregojë rritje të ndjeshme ekonomike.
BSH në raportin e fundit të saj ka bërë krahasim të situatës mes vendit tonë, Maqedonisë së Veriut, Serbisë dhe Kosovës në gjashtë muajt e parë të vitit 2021 krahasuar me dhjetorin. Sa i përket rritjes së prodhimit të brendshëm bruto Kosova zë vendin e parë me 5.6 për qind e më pas Shqipëria e 0.1 pikë më pak. Pozitivisht ka ecur edhe Serbia me një rritje prej 1.7% ndërsa Shkupi ka një trend ende negativ. Sa i përket inflacionit vjetor është Serbia që mban vendin e parë me 3.2 për qind, ndërsa vendi ynë zë vendin e fundit.
Ky tregues vlen si për të matur ecurinë e konsumit, por edhe për zhvillimin afatgjatë të ekonomisë. Papunësia në Shqipëri sipas bankës së Shqipërisë u rrit me 0.5 për qind. Por sipas të dhënave zyrtare nivelin më të lartë e ka Kosova me 27% dhe Maqedonia e Veriut me 16%. Beogradi dhe Tirana kanë një trend thuajse të njëjtë.
BSH duke analizuar uljen e normës së interesit për kreditë hipotekore dhe për bizneset parashikon vazhdimin e rritjes së qëndrueshme të ekonomisë. Kjo e shoqëruar me rritjen e besimit pas heqjes së kufizimeve për parandalimin e koronavirusit. Edhe në tregjet ndërkombëtare nënvizon institucioni qendror bankar shënohet një zhvillim i fortë i ekonomisë i shoqëruar dhe me rritjen e konsumit./Burimi: OraNews.tv