Secondary Adv

Tenderat ne dekaden e fundit: Mbi 120 mln dollare demi ne buxhet

Korrupsioni në Shqipëri në fushën e prokurimeve publike i ka sjellë buxhetit të shtetit mbi 120 mln USD dëm gjatë dekadës së fundit, sipas KLSH dhe Ministrisë së Financave.

 

Përfaqësues të komunitetit të investitorëve sjellin për Zërin e Amerikës shembuj të disa procedurave të tenderimit, ku sipas tyre ka hije dyshimi për paracaktim të fituesve. Ekspertët shprehen se problemi më i madh qëndron tek kontratat që miratohen me ligje të posaçme. Autoritetet shtetërore thonë se janë bërë përmirësime në fushën e prokurimeve, por ata janë të vetëdijshëm se kjo nuk e ka ndryshuar perceptimin e publikut se problematikat janë të thella. Në Shqipëri korrupsioni në fushën e prokurimeve publike është gjerësisht i përhapur, duke sjellë për pasojë dëmtim të konkurencës dhe të efektivitetit të përdorimit të fondeve publike.

 

Sipas Ministrisë së Financave dhe KLSH demi ekonomik në fushën e prokurimeve që prej vitit 2012 llogaritet mbi 120 milionë dollarë, me një mesatare vjetore dëmi afërisht 13 milionë dollarë. Kjo ka sjellë largim të investirove të huaj siç nnënvizohet edhe në raportin i disa ditëve më parë të DASH për klimën e investimeve. Investitorët thuhet në raport përmendin mungesën e transparencës në prokurimin publik, ekonominë informale dhe zbatimin e dobët të kontratave si problemet më të mëdha. Ata ndeshen me pengesa të shumta në garat për tendera në sektorë të ndryshëm.

 

Artan Xhiani, drejtues i një kompanive private auditimi ndan me Zërin Amerikës përvojën e tij që lidhet me proçedurën e prokurimit të një tenderi për Auditim të Autoritetit Portual të Durrësit. “Para dy vitesh autoriteti kontraktues midis kushteve të tjera vendos një kusht që ofertuesi duhet të ketë të punësuar minimumi 25 punonjës. Nëse i referohemi të shkuarës asnjëherë nuk ka patur kusht të tillë dhe asnjëherë nuk ka patur një problematikë të ngritur nëse mungesa e një personeli të tillë nga ana e ofertuesve të ketë krijuar ndonjë problematikë për autoritetin kontraktues.

 

Gjithmonë shërbimi ka qenë i pranueshëm, dhe nuk ka patur ndonjë arsye përse të vendoset një kusht i tillë. Ne e kemi kundërshtuar këtë. Kemi kërkuar shpjegime dhe nga autoriteti kontraktues dhe nga Agjensia e Prokurimeve Publike dhe nuk u bë asgjë. Kemi theksuar, që këtu po bëhet një manovër, për të fituar tender një palë e caktuar”– tha për Zërin e Amerikës Artan Xhiani, eskpert kontabël, Studio Auditimi UHY ELITE. Por ky nuk është rast i vetëm. Zoti Xhiani veçon dhe një tender ndërkombëtar të një autoriteti shtetëror, me shumë të konsiderueshme, afro10 milion Euro, për të cilin ka hije dyshimi për paracaktim të fituesit.

 

Ai thotë se është vendosur një kusht që personeli i kompanive të huaja ofertuese, duhet të bëjnë ekuivalentimin e licensave profesionale ose diplomave sipas sistemit shqiptar. Ky është një kusht normal shpjegon Z. Xhiani, por dyshimet lidhen me afatin 30 ditor për ekuivalentimin e tyre, kur siç thotë duhen minimumi 3 muaj. Zoti Xhiani shpjegon se kompanitë e huaja që hyjnë për herë të parë në garë dhe nuk kanë përfaqësi në Shqipëri, nuk mund ta arrijnë këtë afat, në ndryshim nga disa të tjera që operojnë prej kohësh në vend, dhe mund ta kenë kryer me herët këtë procedurë.

 

Autoritetet zyrtare nënvizojnë, se është bërë progres në mënjanimin e procedurave korruptive gjatë prokurimeve publike, duke veçuar dhe ndryshimet e fundit ligjore në ligjin e PP, por ata janë të vetëdijshëm se kjo nuk e ka ndryshuar perceptimin e publikut se korrupsioni në këtë fushë është gjerësisht i përhapur. Sipas të dhënave që Zëri i Amerikës siguroi nga Ministria e financave rezulton se që prej 2012 dëmin më të madh ekonomik në fushën e prokurimeve e kanë shkaktuar Ministritë përjashtuar ato pa portofol, me një vlerë mbi 100 mln dollarë ndjekur nga Institucionet qendrore, si DPT, ajo e doganave dhe agjencitë në varësi të Ministrive, me mbi 12 mln dollarë, për të vijuar me qendrat spitalore, bashkitë dhe shoqëritë aksionere.

 

Drejtuesja e Open Data Albania, Aranita Brahaj thotë se, defeket më të mëdha të sistemit nuk qëndrojnë tek tenderimet me një operator në garë, sic tenton ta paraqesë kryeministri. Sipas saj këto tendera janë karakteristike për shuma të vogla. Problemi shpjegon Znj. Brahaj qëndron tek kontratat që miratohen me ligje të posacme, apo në tenderat e disa institucioneve të sektorit të infrastrukturës, si Autoriteti shqiptar i rrugëve dhe fondi shqiptar i zhvillimit.

 

Më tej Zonja Brahaj i referohet tenderit të uniformave të policisë që sot po hetohet nga SPAK, i cili ka një vlerë të fondit limit mbi 20 milion euro. Edhe KLSH ka vërejtuar mangësi të shumta në proçedurat e tenderimit të Agjencisë së Blerjeve të Përqendruara, që lidhen me një konkurrencë minimale dhe disa procedura prokurimi ku janë skualifikuar operatorë, të cilët kanë pasur ofertat ekonomike në vlerë më të ulët se, vlera e ofertave të operatorëve të shpallur fitues./Burimi: abcnews.al


Më të lexuarat