Samiti i Vjenes, ja 5 projektet e Ballkanit per financim nga BE
Energjitika dhe infrastruktura pritet të jenë çështjet kryesore që do të diskutohen në Samitin e Vjenës, i cili do të mbahet në 26 gusht me pjesëmarrjen e Kryeministrave të vendeve të rajonit dhe përfaqësuesve të BE-së.
Kryeminsitrat e Shqipërisë, Kroacisë, Serbisë, Kosovës , Maqedonisë, Mali të Zi, dhe Bosnje Hercegovina do të jenë në forumin e biznesit, ku do të diskutohet mbi infrastrukturën, bashkëpunimin rinor dhe politikën e fqinjësisë.Kryeministrat e 7 vendeve të rajonit, të cilën u mblodhën në Tiranë në muajin Maj në kuadrin e Forumit Ekonomik të Vjenës, duket se kanë përcaktuar piketat e propozimeve të tyre përballë Bashkimit Europian.
Propozimet përfshijnë 5 projekte, për të cilat vendet e rajonit do të kërkojnë mbështetjen financiare të BE për realizimin e tyre.Projektet që kërkohen financime kanë të bëjnë me Korridorin Veri-Jug dhe Lindje-Perëndim, të cilët janë pjesë e autostradës adriatiko-joniane dhe Korridorit VIII.Po kështu kërkohet mbështetje për linjat hekurudhore Durrës-Lin (Pogradec), Bajzë-Tiranë dhe Durrës-Vlorë. Për financimin e këtyre projekteve, Bashkimit Europian do ti duhen më tepër se 1.5 miliardë euro, të cilat kanë të bëjnë me kostot e realizimit të tyre.
Projektet
1.Korridori Veri-Jug (Pjesë e Autostradës Adriatiko-Ioniane). Projekti kërkon një fond prej 865 milionë Euro dhe për të cilin është ngritur një grup i përbashkët pune shqiptaro – malazez për të përcaktuar aplikimin për studimin e fizibilitetit për Korridorin Adriatiko – Jonian,
2.Korridori Perëndim-Lindje (Pjesë e Korridorit VIII). Kosto e llogaritur paraprakisht nga ARRSH për plotësimin me standard 4 korsi të këtij segmenti është rreth 400 milionë Euro.
3.Linja Hekurudhore Bajzë-Tiranë. Kosto e llogaritur paraprakisht për rinovimin me standarde të kësaj hekurudhe është rreth 182 milionë Euro.
4.Linja Hekurudhore Durrës-Lin-Pogradec. Ky është segmenti më i përfolur përgjatë gjithë takimeve në kuadër të procesit të Berlinit. Ka pasur një kundërshti për përfshirjen e këtij segmenti në rrjetin bazë të transportit hekurudhor, me arsyetimin se një gjatësi prej 60 km në territorin Maqedonas nuk është realist për tu plotësuar brenda 2030.
5.Linja Hekurudhore Durrës-Vlorë. Ky projekt nuk është diskutuar më herët në kuadër të takimeve të Samitit të Berlinit.