38 mln euro importet e energjise ne 7 muaj: Si ndryshuan cmimet ne burse
Teksa çmimet e importeve kanë arritur vlera deri në 149 euro/MWh, FTL pjesë e Oshee Group sqaroi efektin që ka pasur në këtë situatë bursa dhe transmetimi.
Ne një reagim për “Monitor” kompania bëri me dije se importet në total për janar- gushtin shenuan vlerën 38 milionë euro. “Sasia e energjisë elektrike e blerë për periudhën Janar-Gusht 2021 është 311,223 MWh në vlerën 38,073,341 Euro me çmimin mesatar 122.33 Euro/MWh. Për të njëjtën periudhë të vitit 2020 sasia e energjisë elektrike e blerë është 1,279,039 MWh në vlerën 60,337,224 Euro me çmimin mesatar 47.17 Euro/MWh. Faktorët e që kanë ndikuar në rritjen e çmimeve në vitin 2021 janë: -Çmimet e larta të Hupx në rajon të cilat në 2021 kundrejt 2020 janë rritur me 106%.
-Çmimet e Hupx kanë arritur vlerën më të lartë në muajt Korrik, Gusht ku mesatarisht çmimi i muajit Korrik 2021 është 95.15 Euro/MWh dhe i muajit Gusht 2021 është 110.30 Euro/MWh. E thenë ndryshe 1 MWh në Korrik 2021 kundrejt Korrik 2020 blihet në burse me 58.47 Euro më shumë, kurse 1 MWh në Gusht 2021 kundrejt Gusht 2020, blihet me 72.70 Euro më shumë. Ky krahasim është reflektimi vetëm i bursës së Hungarisë HUPX, por paralelisht kësaj në çmimin e blerjes së energjisë në 2021 kanë reflektuar edhe kostot e tjera të lidhura ngushtë, si kosto e transmetimit të kapaciteteve, e cila në orë të veçanta ka arritur vlerën deri në 30-40 Euro/MWh”, nënvizon FTL./Burimi: Monitor