Secondary Adv

MSH merr vendimin: Edhe shtatori muaj i hapur per vaksinim

Ministria e Shëndetësisë ka vendosur që edhe muaji shtator të jetë muaj i hapur për vaksinimin masiv të popullsisë.

 

Ky vendim i ministrisë vjen pas rritjes së shifrave të infektimeve nga koronavirusi në vend, ku në ditët e fundit është rritur ndjeshëm kurba, për shkak të qarkullimit masiv të variantit Delta. “Shtatori do të jetë një muaj vendimtar për të rritur mbulesën vaksinale, ndaj kemi vendosur që sërish të jetë një muaj i hapur për vaksinimet e çdo qytetari mbi 18 vjeç. Le t’i shfrytëzojmë këto ditë për të mbrojtur jetën dhe shëndetin, duke u vaksinuar sa më parë, për të garantuar mbarëvajtjen e vitit të ri shkollor që po afron, të aktiviteteve të biznesit dhe jetës sonë të përditshme”, ka apeluar Manastirliu.

 

Duke folur për situatën epidemiologjike në vend, Manastirliu tha se të dhënat epidemiologjike të dy javëve të fundit tregojnë një rritje me rreth 5 herë të rasteve të infektimeve krahasuar me periudhën e mëparshme. “Në Spitalin Infektiv ndodhen të shtruar 84 pacientë. Ka prej tyre janë në gjendje më të rëndë dhe po trajtohen në terapi intensive. E përbashkëta e shumicës së pacientëve që këto ditë gushti, që po vuajnë dhe format më të rënda të sëmundjes, është se nuk janë të vaksinuar.

 

Mjekët që shërbejnë me përkushtim në Spitalin Infektiv raportojnë se përgjatë kësaj periudhe ka patur edhe disa raste të të shtruarve të cilët kanë qenë të vaksinuar, por shprehen optimistë për gjendjen shëndetësore të pjesës dërrmuese të pacientëve që janë vaksinuar dhe e kanë përgatitur organizmin, për përballjen me virusin”, tha Manastirliu./Burimi: Balkanweb


Më të lexuarat