
Kosova me deficit te larte tregtar ne Korrik: Serbia vijon importuesi kryesor
Kosova gjatë muajit korrik 2021 ka shënuar deficit të lartë tregtar krahasuar me 2020, ndërsa Serbia vazhdon të ketë pjesëmarrjen më të madhe të importeve.
Kështu thuhet në raportin “Tregtia e jashtme e Kosovës, korrik 2021“, prezantuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), duke shtuar se eksporti mbulon importin me 14.5 për qind. Sipas ASK, eksporti i mallrave për këtë muaj kishte vlerën 62.3 milionë euro, ndërsa importi 430 milionë euro, që është një rritje prej 46.2 për qind për eksportet si dhe 40.4 për qind për importet. Të dhënat tregojnë për një deficit tregtar më të lartë për 39.5 për qind në muajin korrik 2021, në raport me periudhën e njëjtë të vitit 2020, gjegjësisht në vlerë prej 367.7 milionë eurosh, krahasuar me deficitin prej 263.6 milion eurosh që ishte vitin e kaluar.
“38 për qind të eksporteve e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre, 16.1 për qind e përbëjnë artikujt e ndryshëm të prodhuar, 10.3 për qind e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre, 8.3 për qind e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani, 6.1 për qind e përbëjnë produktet minerale, 5 për qind e përbëjnë produktet bimore dhe 3.6 për qind e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike”, thuhet në raport, shkruan Telegrafi. Ndërsa, sipas grupeve kryesore për import, produktet minerale përbëjnë pjesën më të madhe.
“Nga të dhënat e grupeve kryesore për import, produktet minerale përbëjnë pjesën më të madhe apo 17 për qind, pasuar nga makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike me 13.4 për qind. Kurse, 13.1 për qind e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani, 9.7 për qind e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre, 9 për qind e përbëjnë mjetet e transportit, 8 për qind e përbëjnë produktet e industrisë kimike dhe 6.4 për qind e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre”, njofton ASK. Agjencia e Statistikave thotë se, eksportet e Kosovës në vendet e BE arritën në 20.3 milionë euro, ndërsa importet ishin rreth 194.1 milionë euro.
“Eksportet e Kosovës në vendet e BE arritën në 20.3 milionë euro ose rreth 32.7 për qind të eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 13.3 për qind. Partnerët kryesorë për eksportin e mallrave në BE ishin Italia me 9.8 për qind, Gjermania me 8 për qind dhe Holanda me 3.1 për qind. Kurse, importet ishin rreth 194.1 milionë euro ose 45.1 për qind e importeve të përgjithshme me një rritje prej 39.8 për qind. Importet me pjesëmarrje më të lartë ishin nga Gjermania me 13.4 për qind, Italia me 6 për qind, Greqia me 4.9 për qind dhe Polonia me 3 për qind”, vijon raporti, përcjell Telegrafi.
Në muajin korrik 2021, eksportet e Kosovës me vendet CEFTA-së arritën në 26.9 milion euro, kurse importet ishin 84.1 milionë euro. “Eksportet e Kosovës me vendet CEFTA-së arritën në 26.9 milionë euro ose 43.3% të eksporteve të përgjithshme me një rritje prej 58.1%. Partnerë kryesorë për eksport nga këto vende ishin Shqipëria me 17.8 %, Maqedonia e Veriut me 12.9%, Serbia me 6.3 për qind dhe Mali i Zi me 4.7 për qind. Ndërsa, importet në muajin korrik 2021 arritën në 84.1 milionë euro ose 19.6% të importeve të përgjithshme me një rritje prej 29.4 për qind.
Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin Serbia me 6.9 për qind, Shqipëria me 5.6% dhe Maqedonia e Veriut me 5.3%”, thotë Agjencia e Statistikave. Eksportet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 14.9 milionë euro ose 24 %. Si partnerë më të rëndësishëm nga këto vende janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës me 12.3% dhe Zvicra me 7.2%. Kurse, importet arritën në 151.7 milionë euro ose 35.3 %. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import në këtë grup ishin Turqia me 12% dhe Kina me 9.9%./Burimi: Telegrafi
Më të lexuarat









