Secondary Adv

Kredite ne valute: 41 per qind e tyre te ekspozuara ndaj levizjeve te kursit

41% e kredisë në valutë të huaj e dhënë nga sektori bankar shqiptar është e ekspozuar ndaj rrezikut të kursit të këmbimit.

 

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se në vitin e fundit ky tregues nuk ka ndryshuar shumë, megjithatë, në afat më të gjatë vërehet një tendencë në rënie të lehtë. Në mesin e këtij viti, raporti i kredive në valutë të pambrojtura për rrezikun e kursit të këmbimit ndaj totalit të kredive në valutë ishte 41.3%, po aq sa një vit më parë. Por, krahasuar me të njëjtën periudhë në vitet paraardhës, 2016-2019, ky tregues paraqitet në nivele më të ulëta. Kreditë e ekspozuara ndaj rrezikut të kursit të këmbimit janë ato kredi ku të ardhurat e subjektit huamarrës janë në monedhë të ndryshme nga monedha e përfitimit të kredisë.

 

Peshën më të madhe të portofolit e zënë kreditë e pambrojtura në monedhën euro, me pothuajse 90% të totalit, ndërsa pjesa e mbetur prej 10% është në dollar amerikanë. Pesha e kredive të pambrojtura në valutë përgjithësisht ka ndjekur një trajektore rënëse deri në tremujorin e parë të vitit 2021, kur treguesi u rrit në vlerën 42.9%, ndikuar nga zgjerimi i kredisë së pambrojtur në euro me 7.6% në terma vjetorë. Por, kjo rritje u frenua ndjeshëm gjatë tremujorit të dytë të vitit 2021, duke bërë që treguesi të kthehet në nivele të ngjashme me një vit më parë.

 

Në nivel bankash të veçanta, BSH konstatohen se ky tregues ka ardhur në rënie për shumicën e tyre. Vlera maksimale është ulur me 4.2 pikë përqindje krahasuar me një vit më pare dhe shumica e bankave kanë një vlerë të treguesit nën mesataren e sektorit. Megjithatë, ka banka të veçanta ku kreditë e pambrojtura ndaj kursit përbëjnë pothuajse 89% të kredisë në valutë. Në vitet e fundit po shënohet një rënie e kreditimit të valutë të huaj në përgjithësi. Sipas BSH, në mesin e këtij viti pesha e kredisë në valutë të huaj kundrejt portofolit total të kredisë zbriti në 49.9%, nga 52.7% një vit më parë dhe 53.6% në mesin e vitit 2019.

 

Bankat po japin më shumë kredi në monedhën vendase, sidomos në segmentin e individëve, që zakonisht i kanë të ardhurat në lekë. Kjo tendencë po ndikohet edhe nga rënia e normave të interesit për kreditë në lekë, që janë pranë niveleve minimale historike. Në vitin 2018, BSH miratoi një paketë masash që synonin rritjen e përdorimit të monedhës vendase në sektorin financiar. Këto masa, në thelb, synonin të ulnin kostot e huadhënies në lekë dhe të rritnin ato të kreditimit në valutë.

 

Rezerva e detyrueshme për lekun u ul nga 10% në intervalin mes 5% (për detyrimet në lekë me afat fillestar më të gjatë se 12 muaj deri në 2 vjet) dhe 7.5% (për detyrimet në lekë me afat maturimi jo më të gjatë se 12 muaj). Për valutat e huaja, rezerva e detyrueshme u rrit nga 10% në intervalin mes 12.5% (për detyrimet në valutë kur këto zënë nën 50% të totalit) dhe 20% (për pjesën e detyrimeve në valutë mbi 50% të totalit). Gjithashtu, BSH vendosi të rrisë kërkesën minimale rregullative për aktivet likuide në valutë nga 15% në nivelin 20% të detyrimeve afatshkurtra.

 

Në fakt, masat e para që synonin të frenonin kreditimin e ekspozuar ndaj rrezikut të kursit të këmbimit u morën që në vitin 2011, kur Banka e Shqipërisë vendosi që huatë e kësja kategorie, nuk duhet të kapërcejnë nivelin 400% të vlerës së kapitalit rregullator të bankës. Çdo vlerë mbi këtë nivel zbritet nga vlera e kapitalit rregullator. Ndërsa, në 2013 u vendos që huatë në valutë ndaj huamarrësve të pambrojtur nga rreziku i kursit të këmbimit të ponderohen me koeficient më të lartë rreziku (50% më të lartë), për qëllime të llogaritjes së treguesit të mjaftueshmërisë së kapitalit të bankës./Burimi: Monitor


Më të lexuarat