Secondary Adv

Ne Farke do te ndertohet terminali lindor i autobusave

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, prezantoi të premten pasdite administratorin e njësisë Farkë, Admir Abrija, ku deklaroi se në Farkë do të ndërtohet terminali lindor i autobusëve, si një mënyrë për të disiplinuar trafikun e Tiranës dhe për të shmangur ndotjen që shkaktojnë automjetet.


“Kemi vendosur që terminali lindor i autobusëve që vijnë nga zona e juglindjes së Shqipërisë, Pogradeci, Korça apo veriu i Greqisë, të jetë në zonë e Farkës. Është një mënyrë se si ne disiplinojmë trafikun në Tiranë dhe se si shmangim skenat e shëmtuara që shkaktojnë trafik dhe ndotje në qytet. Duke pasur një terminal në zonën e Farkës, disiplinojmë trafikun, por i kthejmë edhe një vlerë kësaj lagjeje të re të Tiranës, duke u siguruar që kemi një sistem modern të disiplinimit të të gjithë transportit publik në qytet”, u shpreh Veliaj.


Gjithashtu, ai inspektoi punimet për Liqenin e Farkës, ku edhe deklaroi se ky liqen do të jetë njëri nga 5 parqet e Tiranës. Veliaj theksoi se Liqeni i Farkës ka një potencial fantastik për t’u kthyer në një zonë rikrijuese, çlodhëse dhe e këndshme për qytetarët e Tiranës.“Dua të falënderoj kompaninë dhe Fondin Shqiptar të Zhvillimit, për faktin se në Liqenin e Farkës ne shohim një potencial fantastik, duke qenë se është rreth dy herë sa sipërfaqja e Liqenit të Tiranës.


Kjo do të thotë se kemi dy herë mundësi për të pasur një zonë rikrijuese, çlodhëse, shumë më pranë qendrës së Tiranës, duke u siguruar se parku i Liqenit të Farkës plotëson premtimin dhe angazhimin tonë për 5 parqet e Tiranës: parkun e Vaqarrit, Kasharit, liqenit të Tiranës, parkun e Dajtit dhe tani të Farkës, si një mundësi për të shënjuar një diferencë nga politikat që janë investuar kryesisht në beton, në një politikë lokale të Tiranës që e zëvendëson 4-vjeçarin e betonit me një perspektivë të 5 parqeve të qytetit të Tiranës”, tha Veliaj./ATSH


Më të lexuarat