
Akreditimi i shkollave te arsimit profesional: Miratohen procedurat dhe kriteret
Të gjithë ofruesit publikë dhe jopublikë të Arsimit të Formimit Profesional, duhet të plotësojnë standardet, kriteret dhe procedurat e akreditimit sipas rregullores së re.
Akreditimi mund të jetë i plotë për ofruesit që plotësojnë të gjitha kriteret, mund të jetë riakreditim që bëhet çdo 4 vite pas marrjes së akreditimit të plotë dhe bazohet në vlerësimin e të gjithë kritereve, si dhe mund të jetë për ofruesit i rinj dhe me kusht kur nuk plotësohet vetëm 1 nga kriteret. Afati për dorëzimin e kërkesës për akreditimin e një ofruesi të ri të AFP, për akreditimin e një ofruesi të AFP-së të akredituar për një kualifikim të ri profesional, si dhe në rastin e akreditimit me kusht është 3 muaj përpara afatit të planifikuar për nisjen e programeve përkatëse.
Rregullorja përcakton se në rastin e akreditimit me kusht, ofruesi dorëzon raportin dhe evidenca për masat e marra dhe rezultatet e arritura, për kriteret plotësuese, sipas rekomandimeve të vendimit dhe raportit për akreditimin me kusht. Subjektet e interesuara fillimisht duhet të dorëzojnë kërkesën zyrtare për akreditim dhe të dhënat e kontaktit.
Kërkesa për akreditim duhet të shoqërohet edhe me dokumentacionin, si: licenca, dokumentet e pronësisë, plani i sigurisë etj. Për shqyrtimin e çdo kërkesë (5 ditë pas dorëzimit) caktohet një korditinator që 10 ditë nga marrja e detyrës shqyrton përmbushjen e kritereve. Raporti i hartuar nga koordinatori i dorëzohet për miratim AKAFPK-së. Në rast miratimi, akreditimi është i vlefshëm për 4 vjet.
Procesi i akreditimit
Procesi i akreditimit bazohet në hapat e mëposhtëm: Hapi i parë: ofruesi i AFP-së dorëzon kërkesën zyrtare për vlerësim të jashtëm për akreditim, sipas formatit të shtojcës 2 bashkëlidhur kësaj rregulloreje, e cila nënshkruhet nga përfaqësuesi ligjor i ofruesit të AFP-së dhe përmban informacionin e mëposhtëm: a) emrin e ofruesit të AFP-së; b) qëllimin e kërkesës; c) adresën dhe të dhënat e kontaktit të ofruesit të AFP-së, përfshirë faqen e internetit (nëse ka); d) të dhënat e statusit ligjor dhe tatimor të ofruesit të AFP-së; e) përfaqësuesin ligjor dhe personin përgjegjës (personin e kontaktit);
f) të gjitha drejtimet dhe programet ekzistuese (nëse ka), të akredituara ose jo, të cilat çojnë ose nuk çojnë në kualifikime sipas KSHK-së; g) listën e dokumenteve shoqëruese. – Hapi i dytë: Kërkesa për akreditim shoqërohet nga dokumentet e mëposhtme: a) dokument i themelimit/licenca si ofrues jopublik i AFP-së; b) përshkrim i shkurtër i institucionit: objekti i aktivitetit, rezultatet kryesore, kredencialet, përshkrim të përgjithshëm të personelit drejtues, mësimdhënës, mbështetës dhe të burimeve; c) argumentim mbi domosdoshmërinë e ofrimit të kualifikimit/kualifikimeve profesional/e, për të cilin akreditohet; d) organigramë e institucionit;
e) rregullore e brendshme e institucionit; f) dokument pronësie për kohën e akreditimit; g) vendim për ngritjen e ekipit të sigurimit të brendshëm të cilësisë; h) plan për zbatimin e proceseve të sigurimit të cilësisë; i) raport i vitit të fundit të vetëvlerësimit për pesë fushat e cilësisë, sipas formatit në shtojcën 3 të kësaj rregulloreje. Përjashtim bëjnë ofruesit e rinj të AFP-së; j) në fazën e vizitës në terren, ofruesi duhet të ketë të dhëna të plota (për pesë fushat e cilësisë, sipas formatit në shtojcën 3 të kësaj rregulloreje), për periudhën nga raporti final i vetëvlerësimit, deri në datën e vizitës;
k) plan afatmesëm aktual i miratuar; l) plan vjetor aktual i miratuar; m) standardet e profesioneve, standardet e kualifikimeve, si dhe dokumentet kurrikulare për kualifikimet profesionale, për të cilat kërkon akreditim; n) listë e personelit drejtues, mësimdhënës dhe mbështetës, për kualifikimet profesionale, për të cilat aplikon për akreditim, së bashku me kualifikimet dhe përvojën e tyre; o) CV-të e personelit drejtues, mësimdhënës dhe mbështetës sipas formatit Europass;
p) kontratat e vlefshme të punës për periudhën, për të cilën do të akreditohet; q) plani financiar për periudhën e akreditimit (katër vite); r) listat e klasave, laboratorëve, mjediseve të praktikës profesionale, pajisjeve, teksteve shkollore, materialeve ndihmëse për mësimdhënien, etj., për kualifikimet profesionale për të cilat aplikon për akreditim; s) marrëveshjet e bashkëpunimit, të nënshkruara me punëdhënësit apo sektorin e biznesit, për të nxënit me bazë punën, nëse ka; t) autorizimet e shëndetit publik dhe certifikatat e sigurisë nga zjarri./Burimi: Monitor
Më të lexuarat








