
Karburantet, kompanite ulin cmimet me 9-10 leke per liter
Çmimet e naftës kanë shënuar një ulje të fortë gjatë kësaj fundjave në tregun vendas për herë të parë gjatë këtij viti.
Në pikat e shitjes me pakicë te Kastrati, operatori me i madh i naftës në vend, një litër nafte shitet me 174 lekë, nga 184 lekë më parë, dhe benzina me 176 lekë, nga 185 lekë më parë. Edhe në pikat e tregtimit të Elda, nafta dhe benzina tregtohen përkatësisht me 173 dhe 174 lekë. Nafta ka zbritur nën 180 lekë edhe tek operatoret e tjerë. Aktorët e tregut e kishin paralajmëruar rënien e çmimeve, pasi rezervat e blera më shtrenjtë në maj të mbaronin.
Në bursat ndërkombëtare, nafta zbriti të premten ne 46 USD për fuci, si rrjedhojë e shqetësimeve për ekonominë kineze, konsumatori më i madh i naftës në botë.Në tregun vendas, pas rënies në janar ne 160 lekë, nafta u rrit deri afër 180 lekëve, duke reflektuar me shpejtësi shtrenjtimin e tij në bursa, forcimin e dollarit në tregun vendas dhe rritjen e takses së qarkullimit. Në kahun tjetër, ulja e çmimeve në tregun vendas, teksa preku fundin në bursat nderkombëtare ka qenë e vonuar.
Ja 7 pyetjet që sqarojnë përse çmimi i naftës në Shqipëri është shumë i lartë dhe përse nuk reflektohen luhatjet në bursat ndërkombëtare.
Sa ranë çmimet e karburanteve?
Pikat e shitjes me pakicë të karburanteve kanë ulur në bllok çmimet e naftës nga 9 deri në 10 lekë për litër. Në pikat e shitjes me pakicë te Kastrati, operatori me i madh i naftës në vend, një litër nafte u shit me 174 lekë, nga 184 lekë më parë, dhe benzina me 176 lekë, nga 185 lekë më parë. Edhe në pikat e tregtimit të kompanisë Elda, nafta dhe benzina u tregtuan përkatësisht me 173 dhe 174 lekë. Ndërkohë që çmime të naftës nën 180 lekë u vërejtën edhe tek operatoret e tjerë. Në tregun vendas, pas rënies në janar ne 160 lekë, nafta u rrit deri afër 180 lekëve, duke reflektuar me shpejtësi shtrenjtimin e tij në bursa, forcimin e dollarit në tregun vendas dhe rritjen e takses së qarkullimit. Në kahun tjetër, ulja e çmimeve në tregun vendas, teksa preku fundin në bursat nderkombëtare ka qenë e vonuar.
Cili është raporti i çmimit të ri me rajonin e botën?
Rënia e çmimit të naftës në pikat e shitjes me pakicë në vend, nuk ndryshoi pozicionin e Shqipërisë nuk e zbriti Shqipërinë nga kreu i listës së sitit “Fuel Prices Europe”, e cila publikon në bazë ditore çmimin e shitjes me pakicë të produkteve hidrokarbure në të gjitha vendet e Evropës. Në tabelën e ditës së shtunë, Shqipëria madje renditej e teta, duke lënë pas shtete Danimarka, Finlanda, Irlanda, Suedia, Belgjika e Portugalia, ndërkohë që një javë më parë rezultonte në vendin e nëntë.
Përse kompanitë shqiptare të naftës, nuk reflektojnë uljet në tregjet botërore?
Ndërsa çmimi i naftës prej javësh shënon rënie të dukshme në tregjet ndërkombëtare, ulja u reflektua me mjaft vonesë nga tregtarët shqiptarë. Kompanitë shqiptare kanë këmbëngulur në vazhdimësi se nuk janë në gjendje të pasqyrojnë menjëherë luhatjet e çmimit në tregje ndërkombëtare për shkak se operojnë përmes rezervave.
Kompanitë pretendojnë se ligji i detyron që të mbajnë një rezervë sigurie, dhe se çmimet e ulura ndërkombëtare mund të pasqyrohen vetëm me përfundimin e rezervës e tregtimin e produktit të blerë me çmimin e ri. Nga ana tjetër, një faktor mjaf i rëndësishëm që duhet marrë në konsideratë në analizën e kostos së një litri karburant të shitur, ka të bëjë edhe me kursin e këmbimit. Krahasuar me vitin e kaluar, dollari amerikan është rritur në 2015. Biznesi është i detyruar të blejë me këtë vlerë dollarin në tregun e brendshëm për të realizuar importet e domosdoshme.
Përse çmimi i naftës është shumë i lartë në Shqipëri?
Sipas kompanive, shqiptarët detyrohen të blejnë naftë të shtrenjtë si pasojë e taksave të shumta që aplikohen. Ato përbëjnë 58 % të çmimit përfundimtar me të cilin e blejnë konsumatorët ndërkohë që çmimi konkret i naftës zë vetëm 42%. Shoqata e Hidrokarbureve pretendon se janë taksa e qarkullimit, e Karbonit dhe ajo e markimit bashkë me TVSH faktorët që ndikojnë në çmimin e karburantit në Shqipëri. Sipas Shoqatës së Shoqërive Hidrokarbure, këto taksa bëjnë që çmimi i naftës në Shqipëri të rritet mesatarisht 42 Lekë/Litër krahasuar me çmimet e vendeve të tjera. Më saktësisht: Taksa e Qarkullimit 27 Lekë/Litër, Taksa e Karbonit 3 Lekë/Litër, Taksa e Markimit 1 Lekë/Litër.
Si formohet çmimi i karburanteve?
Sipas ekspertëve, çmimi referent është çmimi i bursës. Mbi këtë çmim rafineritë shtohen fitimet, që në gjuhen teknike quhen ”prime” mbi çmimin PLATZ, që varion sipas momentit, ngjarjeve, por edhe rafinerive të ndryshme dhe kontratave të lidhura. Më pas merret në përllogaritje transporti detar, nga pikat e prodhimit deri tek portet shqiptare (Petrolifera apo Porto Romano). Në këtë rast rafineria llogarit një shtesë të dytë, që lidhet me densitetin e naftës së importuar. Kjo shtesë llogaritet: densiteti i supozuar) x PLATZ + skaletion, shtuar edhe çmimin e siguracionit. Ky është çmimi i parë i rafinerisë deri në portin bazë. Në llogaritjen e mëtejshme të kostos merren parasysh edhe a) shpenzimet portuale; b) shpenzimet e përpunimit, c) ruajtjes në depozitë dhe d)tarifat e tjera si ajo e mjedisit, e zjarrfikses, e peshëmatjes etj, etj. Pra ky është çmimi me të cilin nafta hyn në depo.
Sa janë detyrimet e tjera fiskale?
Sipas shoqatës së hidrokarbureve, detyrimet doganore llogariten me çmimin e PLATZ (CIF), pra duke përfshirë edhe transportin. Këtij çmimi duhet t’i shtojmë - taksa e akcizës, - taksën e karbonit, taksën e qarkullimit, atë të regjistrimit të mjeteve, së bashku me vlerën e detyrimeve doganore. Në përfundim, duke llogaritur të gjitha vlerat e mësipërme, del çmimi i një litër naftë që del nga depozitat. Kjo është vlera të cilës kompani të ndryshme i shtojnë: i. Amortizimin e depozitave dhe instalimeve; ii.interesat bankare për kreditë dhe overdraftet; iii. TVSH në fazën e dytë të shitjes; iv. Transportin nga depozitat deri tek pikat e shpërndarjes; v. Shpenzime amortizimi në stacionet e shpërndarjes (shpk); vi. Shpenzimet administrative (pagat, sigurimet shoqërore dhe shëndetësore, taksat dhe tarifat lokale, taksën e kasave, etj).
Cilat janë pasojat për ekonominë?
Sipas shoqatave të biznesit, cmimet e larta të karburanteve në Shqipëri ndikojnë drejtpërdrejt ne rritjen zinxhir të kostove të të gjitha prodhimeve dhe shërbimeve vendore krahësimisht prodhimeve dhe shërbimeve të huaja, duke ulur më tej aftësinë konkuruese të bujqësisë dhe industrisë shqiptare edhe kështu në shkallë të pakënaqshme. Pasojat e uljes së konkurueshmërisë së mallrave dhe shërbimeve shqiptare krahësimisht atyre të huaja, si pasojëe e ndryshimeve në kostot e karburantit, sipas tyre, ndihen thuasje në të gjithë sektorët e ekonomisë.
Më të lexuarat








