Informaliteti i bizneseve, ja si do veprohet me shkelesit pas 1 shtatorit
Pas 1 shtatorit, kur nis edhe aksioni i qeverisë kundër informalitetit, bizneset në shkelje të ligjit do të përballen me masa që shkojnë nga gjobat, te konfiskimi e deri te ndjekje penale.
Në një bashkëbisedim me gazetarët, Ministri i Financave Shkëlqim Cani theksoi se qeveria është e vendosur të zbatojë deri në fund ligjin, duke nisur nga bizneset e mëdha te ato të voglat. "Ne do të kërkojmë zbatimin e ligjit. Në qoftë se ligji thotë në qoftë se për herë të parë konstatohesh që je pa kupon do të gjobitesh me 50 mijë lek, herën e dytë shtohet edhe elementi i konfiskimit dhe herën e tretë keni ndjekje penale si duhet. Pra a është një lajmërim, një bashkëbisedim, një mirëkuptim, një dëshirë e mirë nga ana e qeverisë që të gjitha bizneset të vogla dhe të mëdha ti kthehen ligjit për arsye se e kemi seriozisht”, tha Cani. I pyetur nga gazetarët lidhur me kërkesat nga FMN, për ndryshime në sistemin fiskal, kreu i financave siguroi se “Në përgatitjen e paketës fiskale për vitin 2016 nuk do të ketë rritje taksash.
Informaliteti 50% Cani shpjegoi se gjatë fazës së deritanishme të operacionin, nga 500 punonjësit në terren të tatimeve, janë kontaktuar 45 mijë biznese, dhe se të dhënët e grumbulluara flasin për nivele alarmuese evazioni. “Një e treta e biznesit është e pafiskalizuar, ka probleme me fiskalizmin ndërsa po të përfshijmë edhe atë pjesë të mos lëshimit të kuponit tatimor etj, informalitetin ne e çmojmë që është në nivelet e 50%”, - tha Cani.
Duhani Duke u ndalur te mosrealizimi i të ardhurave buxhetore, Cani argumentoi se një prej shkaktarëve kryesorë është ulja e çmimit të naftës në tregjet ndërkombëtare. Sa për rënien e dukshme të të ardhurave nga akciza e cigareve, Cani tha se kjo i detyrohet rritjes me 30% të përdorimit të duhanit vendas. “Pjesa dërrmuese e kësaj mungese të të ardhurave po e themi prej 3 miliardë lekë minimumi vetëm akcizë dhe është nga zëvendësimi i importit të cigareve me prodhim vendi.
Po të marrim vetëm duhanin edhe sikur ne ti mblidhnim pa taksat nga duhani, por mendoni që ne në fshat gjithmonë e kemi pas problem në mbledhjen e taksave ne do të mblidhnim gjys për gjys të 3 miliardëshit”, tha më tej Cani. Sa për mosreflektimin e uljes së çmimit të naftës në tregjet ndërkombëtare nga tregtarët shqiptarë, Cani theksoi se sektori i karburanteve është i pari në listën e prioriteteve në betejën kundër evazionit fiskal dhe abuzimeve me konsumatorin.