Bizneset e reja ne 2021: Tirana me shifra rekord, kryesojne sherbimet
Gjysma e parë e vitit ka qenë një test për bizneset për mënyrën se si do të orientoheshin në treg, si do t’u përgjigjeshin pasojave të pandemisë së COVID-19.
Dhe duket se situata ka ndikuar në biznesin e kryeqytetit, pasi nëse më parë prevalonte më shumë hapja e bizneseve të reja të pakicës, tashmë ky orientim ka ndryshuar. Sipas të dhënave zyrtare nga Drejtoria e Përgjithshme të Taksave dhe Tarifave Vendore, shërbimet, ku përfshihen baret, restorantet, hoteleria, fastfoode-t, shërbimet e dërgesave, etj mbajnë rekordin e bizneseve të reja kryesore të hapura në periudhën Janar-Qershor 2021, në raport me të njëjtën periudhë në 5 vitet e fundit. Ndërkohë nga ana tjetër, më së shumti gjatë kësaj periudhe janë mbyllur subjekte të shitjes me pakicë, gjithsej 521 të tilla në 6 muaj. Ndërkaq, në total në periudhën Janar-Qershor 2021 janë hapur 4787 biznese të reja kryesore dhe sekondare si dhe janë mbyllur 1661 të tjera, duke bërë që numri neto i subjekteve të reja që i janë shtuar kryeqytetit në 6 muaj të jetë 3126 subjekte.