Hapet tuneli i 5 ne sheshin Shqiponja: Nga neser shperndahet trafiku
Është hapur për qarkullimin e automjeteve tuneli numër 5 në ish-sheshin 'Shqiponja', duke lehtësuar në këtë mënyrë qarkullimin e automjeteve të Tiranës.
Ndërkohë janë drejt përfundimit punimet për realizimin e plotë të kësaj vepre e cila i jep kryeqytetit një hyrje të denjë duke lehtësuar trafikun për automjetet dhe lëvizjen për këmbësorët. Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjitikës, Belinda Balluku, tha gjatë inspektimit të punimeve se kjo do të jetë rrjedha definitive e shpërndarjes së trafikut të nyjes në sheshin 'Shqiponja'. 'Me hapjen e tunelit 5 sot, 3 do jenë funksionalë. Duhet theksuar që rrjedhja e trafikut që do të kemi sot, do të jetë ajo që do të qëndrojë përgjatë gjithë kohës. Kur të përshkojmë tunelin dhe të dalim nga ana tjetër do japim një pamje të saktë të lëvizjes së trafikut.
I kërkojmë qytetarëve që të jenë të kujdesshëm që edhe të gjejnë hyrjen në tunele dhe të gjejnë hyrjen që ata duan të aksesojnë. Të ndjekin sinjalistikën dhe sugjerimet e policisë rrugore që do të jenë vendosur në të gjithë zonën. Të jenë më komodë me këtë mënyrë të re të trafikut. Nga nesër, e shtunë, do ta gjejë trafikun të shpërndarë në një mënyrë tjetër që është mënyra defintitive e shpërndarjes së nyjes.
Kjo nyje do të ketë dhe një qendër të menaxhimit të trafikut. Tuneli 5 mban drejtimin e mjeteve që vijnë nga Durrësi dhe kalon për në Astir. Futemi nga autostrada për të dalë në Astir dhe kalojmë tek Loti 2. Tuneli nr 3 do shërbejë për dalje nga Astiri për t'u futur në autostradë.'- tha Balluku. Sakaq punimet për realizimin e plotë të kësaj vepre që do të lehtësoje trafikun për automjetet dhe lëvizjen për këmbësorët, janë drejt përfundimit./Burimi: Shqiptarja.com