Rritja e cmimit te bukes: Autoriteti i Konkurrences nis kontrollet, pritet te merren masa
Pas shtrenjtimit të çmimit të miellit e bukës pothuajse në të gjithë vendin, AK ka nxjerrë ne terren inspektorët për të verifikuar informacionet e marra.
Pas monitorimit të tregut do të vendoset nëse do ketë apo jo hetim për kompanitë e miellit dhe furrat. Prej ditësh furrat po e shesin bukën me çmim deri në 10% më të lartë. Në vëzhgimin e realizuar nga gazetarja Eliza Gjediku u vu re se qtetarët po e blejnë bukën me 10 deri në 20 lekë më shumë se javën e kaluar, duke shkuar deri në 90 lekë një bukë, në varësi edhe të peshës dhe llojit të bukës. Nga ana tjetër shoqata e Prodhuesve të Bukës, thotë se rritja e çmimit të bukës është reflektuar si pasojë e shtrenjtimit të miellit në treg, dhe i produkteve të tjera, si vaj apo margarina.
Kurse Adi Haxhiymeri, nga Shoqata e industrisë së përpunimit të miellit thotë se rritje e çmimit do të vijojë edhe në javët në vijim dhe mund të arrij deri në 20%. Sipas tij shtrenjtimi i miellit ka ardhur si pasojë e luhatjeve në bursën ndërkombëtare, pasi është ulur prodhimi i grurit me 20 milionë ton më pak, nga të cilat 15 milionë ton më pak i ka Rusia nga ku edhe furnizohemi. Përpos miellit dhe çmimit të bukës, operatorët e tregut paralajmërojnë një rritje të shpejtë të çmimit të makaronave. Sikur të mos mjaftonte goditja që solli pandemia, rritja e çmimeve do të rëndojë edhe më shumë xhepat e qytetarëve./Burimi: Shqiptarja.com