Se shpejti hapen tunelet te Astiri- ARRSH: Ja kur pritet te perfundoje Unaza e madhe
Segmenti i Unazës së Madhe nga Pallati me Shigjeta te sheshi Shqiponja, në lotin 2 dhe 3 përfundon tërësisht brenda muajit tetor.
Segmenti i Unazës së Madhe nga Pallati me Shigjeta te sheshi Shqiponja, në lotet 2 dhe 3 përfundon tërësisht brenda muajit tetor, ndërkohë që loti 1 që është nyja e Shqiponjës përfundon tërësisht në 3-mujorin e parë të vitit që vjen. Drejtori i Planifikimit Strategjik dhe Operacioneve, pranë Autoritetit Rrugor Shqiptar, Erald Elezi thotë për TV SCAN se brenda tetorit nis dhe faza e re e menaxhimit të trafikut, pasi do të hapen tunelet në lotin 2, çka sipas tij do të lehtësojnë ndjeshëm trafikun në këtë zonë.
Ndërkaq, sa i takon nyjes së Shqiponjës aktualisht ka përfunduar 95% e punimeve, ndërkohë që Elezi bën me dije se punimet në vijim lidhen me ndërtimin e korsive të biçikletave, korsive për kalimin e këmbësorë apo gjelbërimin. Ndërkaq, Elezi sqaron se trafiku i krijuar pas hapjes së tunelit 5 në këtë segment nuk lidhet me planin e menaxhimit të trafikut, por me fluksin e shtuar të automjeteve në këtë periudhë të vitit./Burimi: SCAN