Secondary Adv

Rritet trafiku i pasagjereve nga Rinasi ne gusht: Destinacionet me te preferuara

Korriku dhe gushti kanë qenë muaj shumë të zënë për TIA, duke i tejkaluar nivelet e parakrizës dhe duke rikuperuar humbjet e periudhës së pandemisë.

 

Burime zyrtare të TIA bënë të ditur për “Monitor” se për periudhën korrik-gusht 2021 kanë udhëtuar gjithsej (hyrje-dalje) rreth 983 mijë pasagjerë, me një rritje prej 21.3% në krahasim me të njëjtën periudhë të 2019, që deri tani kishte qenë viti më i mirë i turizmit. Ndërsa në raport me korrik-gusht 2020, kur vendi po vuante pasojat e krizës, zgjerimi është 76%. Vetëm në korrik, trafiku i pasagjerëve ishte 9.6% më i lartë se në të njëjtin muaj 2019 (+70% me 2020-n), ndërsa në gusht rritja ishte më e fortë në gati 32% (+82% me të njëjtin muaj të 2020-s);

 

Trafiku i pasagjerëve në Rinas. Pavarësisht rritjes së ndjeshme të trafikut në korrik e gusht, për 8-mujorin tendenca mbetet në rënie për shkak të ecurisë së dobët për periudhën janar-qershor. Sipas të dhënave të tjera të INSTAT për 6-mujorin e parë, hyrje-daljet e shtetasve të huaj përmes ajrit ranë me 46% në krahasim me të njëjtën periudhë të 2019.

 

Destinacionet me rritjen më të lartë

Pandemia dhe shtimi i fluturimeve drejt destinacioneve të tjera veç Italisë e ka ndryshuar ndjeshëm gjeografinë e fluturimeve në verën e këtij viti. Sipas të dhënave nga TIA, trafikun e rrugëve të skeduluara për korrik-gushtin e këtij viti e kryeson Londra. Nga dhe drejt Londrës udhëtuan 84 mijë pasagjerë në korrik-gusht, me rritje 74% në krahasim me të njëjtën periudhë të 2019 dhe +159% në krahasim me periudhën pandemike të 2020. Londra ka rrëzuar nga froni Romën, që për shumë vite ishte destinacioni kryesor i udhëtarëve që fluturonin nga dhe drejt Rinasit.

 

Në vend të dytë është Milano, me 64 mijë pasagjerë, duke arritur të kapë nivelin e para-pandemisë. Roma ka kaluar në vend të tretë, pas një rënieje prej 32% të trafikut të pasagjerëve në raport me korrik-gushtin e 2019. Rritje ka shënuar dhe Vjena, duke ia kaluar Stambollit dhe duke zënë vendin e katërt. Pasagjerët me kryeqytetin austriak u rritën me 22% në raport me 2019. Një rritje të ndjeshme kanë shënuar destinacionet gjermane, pas shtimit të fluturimeve nga Ëizz Air.

 

Munihu, Dortmundi, Berlini kanë parë shtim të lartë të trafikut të pasagjerëve. Ndonëse u hap në muajt e fundit, linja direte me Dubanin ka ngjallur interes. Në korrik gusht trafiku i pasagjerëve me këtë destinacion ishte rreth 14 mijë. Pothuajse dyfishim (me 2019-n) ka njohur dhe Brukseli, ndërsa Beogradi është zgjeruar me 10%./Burimi: Revista Monitor


Më të lexuarat