Secondary Adv

Prokurimet publike, 31 per qind kryhen pa gare

Rreth 31.2% e tenderëve të fondeve publike zhvillohen pa njoftim paraprak, ndërsa mbi 30% e garave me procedurë elektronike në Agjencinë e Prokurimit Publik janë anuluar.


Raporti i anulimeve me tenderët e realizuar me sukses është edhe më i lartë në proceset e ankandeve dhe të koncesioneve. Me gjithë rezistencën që bëjnë autoritetet ndaj teknologjisë, gjatë një viti është arritur të kursehen 3.7 miliardë lekë ose 8.6% e fondit limit.


Prokurimi elektronik
Sipas të dhënave për vitin 2014, rezulton se numri i procedurave të anuluara është 1409 nga 5288 tenderë të shpallur për t’u zhvilluar në sistemin e prokurimit elektronik. Kjo shifër konsiderohet relativisht e lartë edhe në raportin e analizës vjetore të agjencisë. Raporti merr në konsideratë dy arsye kryesore anulimi: teknike dhe ligjore. Ndër arsyet teknike përmenden kryesisht gabimet në kryerjen e hapave në sistemin e prokurimit elektronik. Një shpjegim për këtë situatë është mungesa e eksperiencës së stafit të ngarkuar me kryerjen e procedurave të prokurimit, në autoritetet kontraktore. Ndër arsyet ligjore që çojnë në anulimin e procedurave analiza përmend vendimet nga Komisioni i Prokurimit Publik për mungesë konkurrence gjatë zhvillimit të procedurave, apo për shkak të mbylljes së vitit buxhetor.


Numri total i njoftimeve të kontratave të procedurave të prokurimit të publikuara gjatë vitit 2014 në sistemin e prokurimit elektronik, sipas llojeve të kontratave, shërbim, mall, punë, në faqen zyrtare të APP-së është 5288 (1136 më shumë se në vitin 2013). Nga të dhënat, rezulton se numri total i procedurave të shpallura në sistemin elektronik janë 5288, ndërkohë që numri i procedurave të fituara (të cilat maten me njoftimet e fituesve të publikuar në sistem) është 4605. Diferenca shpjegohet me faktin se disa nga procedurat e shpallura janë anuluar ose janë procedura të cilat janë shpallur në fund të vitit 2014 dhe nuk janë përfunduar ende me njoftimin e fituesit (janë në proces). Numri total i njoftimeve të fituesit të procedurave të prokurimit të publikuara gjatë vitit 2014 në sistemin e prokurimit elektronik, sipas llojeve të kontratave, shërbim, mall, punë, në faqen zyrtare të APP-së është 1166 më shumë se në vitin 2013.


Po ashtu edhe numri i kontratave është rritur. Në sistemin e prokurimit elektronik, që prej vitit 2013 zhvillohen dhe procedurat e prokurimit me vlerë të vogël. (nën 400.000 lekë pa TVSH). Numri i procedurave të kryera gjatë vitit 2014, është rritur ndjeshëm krahasuar me numrin e kësaj lloj procedure, të kryer në vitin 2013 dhe konkretisht, gjatë vitit 2014 janë kryer 46,537 procedura, ndërsa gjatë vitit 2013 u kryen 28778 procedura. Po kështu, numri i procedurave të përfunduara me sukses gjatë vitit 2014 është më i lartë krahasuar me vitin 2013 dhe konkretisht, procedurat me vlerë të vogël, të përfunduara me sukses në sistemin e prokurimit elektronik, gjatë vitit 2014 janë 31.164, ndërsa gjatë vitit 2013 kanë qenë 17329.


Tenderët pa shpallje
Autoritetet kontraktore, nëse janë në kushtet e parashikuara nga ligji, mund të kryejnë dhe procedura prokurimi me negocim pa shpallje paraprake. Por, në vend që të ishte përjashtim, kjo mënyrë është bërë rregull për zyrtarët përgjegjës. Gjatë vitit 2014 janë zhvilluar 2121 procedura me negocim pa publikim të njoftimit të kontratës. Për këtë i ndihmon ligji. Pothuajse të gjitha autoritetet kontraktore, sipas analizës, kryejnë procedura negocimi pa shpallje, për një vlerë deri në 20% të kontratës së fundit, për të përmbushur nevojat e fillimvitit, një mundësi kjo e rregulluar nga legjislacioni në fuqi. Sipas ligjit, përdorimi i kësaj procedure bëhet i domosdoshëm dhe në kushtet kur krijohet situatë emergjente (sidomos për mallra dhe shërbime të domosdoshme, si ushqime, shërbime). Sipas agjencisë, lidhja e një kontrate nga një procedurë konkurruese prokurimi nuk mund të realizohet minimalisht përpara muajit mars të një viti (nga praktika e deritanishme për shkak dhe të afateve të ankimit kjo periudhë shkon në muajt prill-maj të vitit). Në këto kushte krijohet “situatë emergjente” për mallra dhe shërbime të domosdoshme, që i çon zyrtarët në përdorimin e procedurës negocim pa shpallje.


Një arsye tjetër e stimulimit të procedurave me negocim pa shpallje paraprake, janë tejzgjatja e procedurave të prokurimit, sidomos në rastet kur ka një ankesë në shkallë të dytë administrative, Komisionin e Prokurimit Publik. Në disa prej rasteve të monitoruara nga agjencia, justifikimi i autoriteteve kontraktore për përdorimin e kësaj procedure ka qenë mospërfundimi i procedurës konkurruese, për shkak të shqyrtimit të ankesës në KPP. Një shkak tjetër i shpeshtë për përdorimin e kësaj procedure, i lidhur me objektet e prokurimit që mbulohen nga Organi Qendror Blerës (OQB), janë nevojat e pambuluara për shkak të kohës që duhet për zhvillimin e një procedure prokurimi nga OQB, e cila nga praktika e deritanishme, nuk përfundon më parë se muaji prill-maj i vitit. Megjithatë këta lloj tenderësh kanë rënë 1% në krahasim me vitin 2013. Llogaritet se ky fond është rreth 5.6 miliardë lekë.


Dëmi nga prokurimet arrin në 678 milionë lekë
Për të kryqëzuar të dhënat vijnë në ndihmë auditimet e kryera nga KLSH. Raporti vjetor i Kontrollit të lartë të Shtetit për periudhën janar-dhjetor 2014 zbuloi në fushën e prokurimeve një dëm ekonomik me vlerën e përgjithshme 678 118 000 lekë. Për 6-mujorin e parë 2015, KLSH konstaton se u rritën abuzimet. Dëmi ekonomik që u shkaktua për një vit gjatë 2014-s, u rrit në vlerë në periudhën janar-qershor 2015, ku shënohet shuma 618 685 000 lekë nga shkeljet në tenderë. Gjatë vitit 2014, pas shqyrtimit të rekomandimeve të institucioneve audituese, agjencia e prokurimeve ka vendosur gjoba dhe masa disiplinore në rast shkeljesh të konstatuara në procedura të ndryshme prokurimi. Në përfundim të shqyrtimit të këtyre raporteve, si dhe nga hetimet administrative të kryera pas ankimeve të operatorëve të ndryshëm, janë vendosur 24 gjoba (8 të propozuara nga KLSH). Pas auditimeve të KLSH-së janë vendosur edhe 13 masa disiplinore për autoritetet kontraktore.


Koncesionet, 36 procedura dështojnë, shpallen vetëm 6 fitues
Sa më i madh të jetë interesi dhe vlera e një tenderi, aq më shumë rritet tendenca për abuzim e zyrtarëve. Sipas analizës vjetore të Agjencisë së Prokurimeve Publike, gjatë vitit 2014, numri i procedurave të dhënies me koncesion të anuluara është 36, kurse procedurat që kanë shpallur fitues janë vetëm 6 dhe në proces për vitin 2015 kanë vazhduar tre gara të tilla. Me ndryshimet e bëra së fundi në ligjin për koncesionet, është parashikuar që investimet strategjike të trajtohen nga Ministria e Ekonomisë për përgatitjen e dosjeve dhe projekteve përpara se të zhvillohen garat në agjencinë e prokurimeve. Kjo, sipas hartuesve të ligjit, do të përshpejtojë procesin dhe do të ulë kohën e zhvillimit të këtyre procedurave. Në investimet strategjike, sipas ndryshimeve të bëra, janë futur edhe hidrocentralet e vogla me koncesion, të cilët më parë ishin përjashtuar nga procedurat. Gjatë qeverisjes së të djathtëve u dhanë mbi 300 leje për ndërtim hidrocentralesh, një pjesë e të cilave nuk filluan asnjëherë për shkak të mungesës së fondeve nga investitorët. Ankandet e zhvilluara në agjencinë e prokurimeve arritën në 222, me ofertën 806.7 milionë lekë. Kontratat që u lidhën ishin vetëm 102, me vlerë 372.2 milionë lekë./Gazeta Shqip


Më të lexuarat