Ulet borxhi i jashtem- BB: Stoku u ngushtua me rreth 54 milione euro
Në fund të qershorit 2021, Borxhi i Jashtëm Bruto (BJB) i Shqipërisë shënoi 8, 811 milionë euro, sipas raportit të Bankës së Shqipërisë.
Gjatë tremujorit të dytë, stoku i BJB u ngushtua me rreth 54 milionë euro (ose 1%), në reflektim të vlerës neto negative të transaksionit, prej –38 milionë euro. Në të njëjtën kohë, efekti i përllogaritur i zhvlerësimit të monedhave USD dhe GBP, kundrejt EUR pati ndikim në uljen e vlerës në euro të detyrimeve të shprehura në këto monedha, me rreth –18 milionë euro. Ndërkohë, ndryshimet e tjera nga ri-klasifikimi vlerësohen pozitive në rreth +1.3 milionë euro. Borxhi i Jashtëm Bruto në raport me PBB u zvogëlua nga 66.6% në 63.7%. Ecuria e tepricës së BJB gjatë tremujorit, vëren tkurrjen e borxhit të jashtëm (kryesisht borxhit publik) në terma afatgjatë.
Në tremujorin e dytë, shlyerjet e huave afatgjata rezultuan më të larta se tërheqjet e huave të reja për Qeverinë e Përgjithshme. Në masën 89%, BJB prezantohet në maturitetin afatgjatë, teprica e të cilit u zvogëlua me 134 milionë euro në reflektim të ngushtimit të borxhit publik. Në të njëjtën kohë, BJB në maturitetin afatshkurtër u rrit me 79 milionë euro në nivelin 970 milionë euro, si pasojë e rritjes së detyrimeve afatshkurtra “monedha dhe depozita” dhe “hua” të Korporatave Depozituese.
Për Autoritetin Monetar – alokimet e SDR2 nga FMN, nuk kanë regjistruar ndryshime të konsiderueshme gjatë periudhës. Monedha evropiane (EUR) është monedha kryesore në emërimin e detyrimeve të Shqipërisë ndaj botës, në rreth 67% të totalit, e ndjekur nga SDR me 12% dhe USD me 9%. Kreditorët publikë mbajnë pjesën më të madhe (40%) të tepricës së borxhit të jashtëm afatgjatë. Zotërimet e bankave të huaja në Eurobondin qeveritar shënojnë rreth 11% të BJB-së afatgjatë.
Kreditorët privatë kanë ruajtur të njëjtat nivele në aktivitetin huadhënës dhe në fund të muajit qershor 2021 mbajnë rreth 11% të tepricës së BJB në maturitetin afatgjatë. Detyrimi afatgjatë mes kompanive të lidhura në një marrëdhënie investimi direkt, ruan një nivel prej rreth 18% të totalit të borxhit të jashtëm dhe në fund të qershorit 2021 shënon 1,391 milionë euro. Pjesa e borxhit të jashtëm me maturitet më të gjatë se 5 vjet kalon dukshëm borxhin me maturitet nga 1 dhe 5 vjet. Në maturitetin 1-5 vjet dominon borxhi privat, ndërsa në atë mbi 5 vjet dominon borxhi publik./Burimi: Revista Monitor