
Konkursi per Spitallen, procedura publikohet ne Financial Times
Qeveria ka publikuar në gazetën “Financial Times” procedurën konkurruese për ndërtimin, zhvillimin, mirëmbajtjen dhe operimin e Zonës Teknologjike dhe Zhvillimit Ekonomik, në Spitallë, Durrës.
Njoftimi do të publikohet edhe për dy numra të tjerë radhazi, përkatësisht në numrat e datave 27 dhe 28 Gusht 2015, me qëllim tërheqjen e investitorëve në mbarë botën. Kjo zonë do të ketë sipërfaqe rreth 501.9 ha, pjesë e zonës kadastrale nr. 8517, në Spitallë, Durrës.
Sipas njoftimit, llojet e veprimtarive që do të zhvillohen në këtë zonë janë ato prodhuese, industriale dhe agropërpunim; tregtare dhe magazinim mallrash dhe shërbime. Periudha e funksionimit të zonës është parashikuar 99 vjet. Vlera e kërkuar e Sigurimit të Ofertës është 15 milion Lekë. Periudha e vlefshmërisë së ofertave është 150 ditë dhe do të hapen në të njëjtën ditë. Kriteret e përzgjedhjes së fituesit janë të pikëzuara, ku me 50 pikë vlerësohet kapaciteti financiar dhe mundësia e financimit të projektit, 20 pikë propozimi teknik për ndërtimin e zonës, dhe pjesa tjetër, ndikimi mjedisor, social dhe koha e përfundimit të investimit.
Afati kohor për dorëzimin e ofertave është 28 Tetor 2015, ora 10:00, pranë Minisrisë së Zhvillimit Ekonomik. Vendimi parashikon që në fazën e pare të përzgjidhet zhvilluesi për një sipërfaqe prej 212.8 ha, thuajse gjysma e spërfaqes totale. Zona e Teknologjisë dhe Zhvillimit Ekonomik shtrihet në afërsi me Portin e Durrësit, vetëm 30 km larg Aeroportit Ndërkombëtar “Nënë Tereza” dhe 37 km nga Tirana.
Sigurimi
Ofertuesi, sipas njoftimit të ministrisë, duhet të paraqesë formularin e sigurimit të ofertës, ku kërkohet si vlerë sigurimi shifra 15 milionë lekë të reja.
Gara
Afati kohor për dorëzimin e ofertave ose kërkesave për pjesëmarrje është 28 tetori 2015, në ambientet e ministrisë së Zhvillimit Ekonomik Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Salla e Mbledhjeve, kati i katërt. Periudha e vlefshmërisë së ofertave është 150 ditë.
Ndryshimet
Zona në fjalë është shpallur “e veçantë” me VKM-në Nr. 666, datë 29.07.2015, sipas referimit që bën njoftimi i ministrisë. Ky vendim nuk pasqyrohet, të paktën deri ditën e djeshme, as në Fletoren Zyrtare dhe as në faqen online të Kryeministrisë. Zona e Spitallës ishte shpallur edhe nga qeveria Berisha si zonë e posaçme ekonomike, me afat 35 vjet. Por në janar të këtij viti qeveria Rama e shfuqizoi VKM-në e mëparshme.
Ligji parashikon që zhvilluesit dhe përdoruesit t’u ulet 50% pagesa e tatim-fitimit 5 vitet e para. Furnizimi i mallrave shqiptare për t’u vendosur në zonë konsiderohen si furnizim për eksport me “zero” TVSH, do të përjashtohet projekti i zhvillimit nga taksa e ndikimit në infrastrukturë, ndërsa ndërtimet aty do të përjashtohen nga taksa e pasurisë së paluajtshme për 5 vjet. Zhvilluesit ose përdoruesit e zonës përjashtohen nga taksa mbi kalimin e së drejtës së pronësisë mbi pasuritë e paluajtshme.
Lehtësitë
Shpenzimet për paga dhe kontributet shoqërore dhe shëndetësore që punëdhënësi paguan për punëmarrësin në një zonë të lirë njihen 150% e vlerës gjatë vitit të parë të ushtrimit të aktivitetit.
Taksat
Ata që do të investojnë në zonë, brenda 3 viteve nga fillimi i veprimtarisë ekonomike, shteti u njeh si shpenzime të zbritshme nga taksat të periudhës tatimore 20% e investimeve vjetore. Zona e Spitallës ishte shpallur nga qeveria Berisha si zonë e posaçme ekonomike, me afat 35 vjet. Por në janar të këtij viti qeveria Rama e shfuqizoi VKM-në e mëparshme.
Më të lexuarat








