Secondary Adv

Samiti i Vjenes, Iniciativa e Merkel: Plan Marshall per vendet e Ballkanit Perendimor

Një “Plan Marshall” për vendet e Ballkanit Perëndimor, që do të thotë një plan për rindërtimin e ekonomisë, që do lejojë zhvillimin e këtij rajoni.Javët e fundit ky rajon është përfshirë nga eksodi masiv i emigrantëve. Është ky vendimi që pritet të miratohet sot në samitin e Vjenës.


Iniciativa për këtë plan është e Kancelarës gjermane Angela Merkel, e cila sipas saj do të përkthehet në një vlerë më të madhe monetare dhe për herë të parë në histori, shtetet e Ballkanit do të prezantojnë mbi tavolinë projektet e përbashkëta të zhvillimit energjitik dhe infrastrukturës. Fondi për Ballkanin, do të jetë miliarda euro. Ky mekanizëm është negociuar një vit më parë në samitin e Berlinit, mes kryeministrit shqiptar Edi Rama, kancelares gjermane Merkel dhe Jose Manuel Barroso, teksa ky i fundit ishte në atë kohë president i Bashkimit Europian.

 

 


Edhe mediat gjermane janë hapur me kryeartikull: “30 krerë shtetesh dhe ministra do të jenë të pranishëm në samit për të diskutuar për iniciativën e vitit 2014 në samitin e Berlinit”. Një tjetër çështje e rëndësishme që do të diskutohet në samitin dy ditor të Vienës është edhe ajo e refugjatëve, ku pritet që Merkel dhe liderët e Komisionit Europian të kritikojnë ashpër liderët e ballkanit për mungesën e bashkëpunimit. Bashkëpunimi rajonal, migrimi dhe dialogu fetar do të jenë gjithashtu pjesë e axhendës së diskutimeve.


Cfarë është Plani Marshall ?
Programi i ndihmës për rindërtim, njohur gjerësisht si një koncept ekonomiko-politiko-historik tashmë me emrin plani "Marshall", ishte programi më i rëndësishëm amerikan për ringjalljen ekonomike të kontinentit evropian pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. Programi në fjalë u iniciua nga ish-sekretari amerikan i Shtetit për Punët e Jashtme, George C. Marshall. Plani që u pagëzua me emrin e tij u përpunua më pas nga ekspertët e Departamentit të Shtetit, William L. Clayton dhe George F. Kennan. Për nisjen e vënien në jetë të këtij plani pati tri arsye bazë: ndihma për popujt evropianë në nevojë e pjesërisht të kërcënuar seriozisht nga uria, si pasojë e një lufte, më shkatërrimtarja që njerëzimi kishte përjetuar ndonjëherë, pengimi i zgjerimit të ideve, praktikave e ndikimit sovjetik në kontinent, si dhe arritja e një tregu funksional që do të bënte të mundur shitjen e produkteve të ndërmarrjeve amerikane me mbiprodhim.

 


Plani në fjalë nisi udhën zyrtarisht pas një takimi të datës 5 qershor 1947 në Paris, ku morën pjesë 16 shtete evropiane. Bashkimi Sovjetik dhe vendet e Evropës Lindore, që asokohe sapo kishin nisur të binin nën diktatin sovjetik, gjithsesi morën të gjithë ftesë për pjesëmarrje në këtë program, por Stalini e cilësoi planin si "rrezik për interesat sovjetike në Evropën Lindore", vargun e vendeve të të cilit ai e trajtonte si një "rrip sigurie" përballë ekspansionit amerikan. Ai ndaloi kësisoj shtetet nën ndikimin e BS-së të merrnin pjesë e të përfitonin nga ky program bujar. Programi zgjati katër vjet. Shuma e ndihmave ekonomike të lëvruara si pasojë e këtij programi nga SHBA-ja arriti shifrën e rreth 12,4 miliardë dollarëve - ose 85 miliardë euro me normat e sotme të këmbimit - në kredi, lëndë të para, mallra ushqimore e ato të konsumit.


Më të lexuarat