Secondary Adv

Raporti i KE: Shqiperia me vdekshmerine me te larte nga Covid ne Europe

Një raport i KE i publikuar këto ditë njoftoi se Shqipëria kishte shtesën e vdekjeve në vitin 2020 më të lartën në Europë, si pasojë e përhapjes së pandemisë Covid-19.

 

Në një raport të Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC) vdekjet shtesë në Shqipëri gjatë 2020 ishin 27% më të larta se vdekjet mesatare vjetore në periudhën 2016-2019. Kjo përqindje ishte më shumë se dyfishi i vdekjeve shtesë në BE dhe më e larta ndër Rajonin e Ballkanit. Komisioni Europian përllogariti se në vitin 2020 vdekjet në BE ishin 12.8% më të larta se mesatarja vjetore e viteve 2016-2019. Pas Shqipërisë, Polonia ishte vendi i dytë në Europë me shtesën më të lartë të vdekjeve më 2021 me rreth 21 %, më tej Estonia me mbi 20%. Në Ballkan, pas Shqipërisë Bosnja dhe Maqedonia kishin normat më të larta të vdekshmërisë shtesë me 17 dhe 12% secila.

 

Duke qenë se vende të ndryshme përdoren standarde të ndryshme për raportimin e vdekjeve nga Covid-19, shpesh pasojat e virusit në shëndetin e popullatës nuk u pasqyruan të plota. Për të dhënë një panoramë më të qartë Komisioni Europian dhe Eurostat mati treguesit e vdekjeve shtese gjatë vitit 2020 për tu njohur me pasojat e vërteta të pandemisë. KE referoi se, analiza e vdekshmërisë shtesë është treguesi më i besueshëm i ndikimit të pandemisë, pasi sepse nuk lidhet me metodat e numërimit të vdekjeve nga COVID-19 në të gjitha vendet.

 

Siç shihet nga të dhënat krahasuese Shqipëria ka paguar kosto të larta në shëndetin e popullatës, pasi pas karantinës së parë (mars-maj 2020), masat kufizuese ishin të lehta dhe shpesh pas logjikë, pasi lejonin frekuentimin e ambienteve të mbyllura pa maska, teksa kishte penalitete për ambientet e jashtme dhe në rrugë. Vendi u përball me një valë të fortë infektimesh në dimrin e kaluar ku vdekjet shtesë arritën kulmin. Sipas të dhënave kombëtare nga INSTAT në total, në vitin 2020, humbën jetën 27,605 persona, me një rritje prej rreth 26% në raport me vitin e mëparshëm, ose rreth 5,700 persona më shumë.

 

Pjesa dërmuese e vdekjeve shtesë në vitin 2020 u justifikuan me diagnozat e sëmundjeve të zemrës dhe shkaqe të panjohura, sipas publikimit të INSTAT mbi shkaqet e vdekjeve më 2020. Sipas të dhënave 47 % e vdekjeve shtesë ishin si rrjedhojë e Grup sëmundja “Aparati i qarkullimit të gjakut (+2,706), ndërsa 20 për qind vdekjeve shtesë ishte për shkaqe të panjohura ose 1,141 persona më shumë se, mesatarja e viteve 2016-2019.

 

Ndërsa 32 për qind e vdekjeve shtesë ishin sëmundjet e “Aparati i frymëmarrjes” që përfshin Covid-19 ose 1878 persona më shumë se mesatarja 2016-2019. Gjithsej shtesa e vdekjeve nga kjo grup sëmundje ishte 1,879. Edhe raportet e mëparshme të Monitor, të përpunuara nga treguesit e Eurostat për shtetet e Europës dhe INSTAT për vendin, treguan se rritja e vdekjeve në Shqipëri ishte më e larta në Europë, si për 2020, ashtu dhe për tremujorin e parë të 2021.

 

Duke përfshirë dhe tremujorin e parë të vitit 2021, vdekjet për 54 muaj pandemi (për periudhën nga 2 marsi 2020 deri në 15 mars 2021) fatalitetet u rritën me 41%, ndërsa shteti i dytë pas nesh me rritjen më të lartë është Çekia, me 25% e ndjekur nga Sllovakia me 24%./Burimi: Revista Monitor https://www.monitor.al/raporti-i-ke-konfirmon-shqiperia-me-vdekshmerine-me-te-larte-nga-covid-19-ne-europe-me-2020-rritje-rekord/  


Më të lexuarat