Secondary Adv

Premtimet e BE-se per Shqiperine

Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Banka Evropiane e Investimeve, në bashkëpunim me institucionet e Bashkimit Evropian, do të mbështesin financiarisht nisjen e projekteve madhore për rajonin e Ballkanit, siç është autostrada Durrës-Prishtinë-Nish dhe autostrada Adriatiko-Joniane.


Garancia për këtë është dhënë pas takimit mes kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, atij të Serbisë, Aleksandër Vuçiç dhe kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa, të zhvilluar në kuadër të Samitit të Vjenës, ku ishin të pranishëm drejtuesit e BERZH-it, BEI-t si edhe ministri i Jashtëm austriak, Sebastian Kurz dhe komisionari Johannes Hahn.


Është rënë dakord që në fillim të vitit 2016 të përfundojë studimi i fizibilitetit për të dyja projektet madhore për rajonin e Ballkanit Perëndimor. Ndërkohë që zëvendëskancelari austriak, për Çështjet Ekonomike, Reinhold Mitterlehner ka informuar se do të jenë 600 milionë euro në mbështetje të projekteve infrastrukturore për Ballkanin Perëndimor.


Dy projektet
“Në fillim të vitit 2016 pritet të përfundojë studimi i fizibilitetit për të dyja projektet, ndërkohë BERZH-i dhe BEI, në bashkëpunim me institucionet e Bashkimit Evropian, do të ndihmojnë në financimin e këtyre dy autostradave që do të lidhin Shqipërinë me vendet fqinje dhe Bashkimin Evropian”, - informoi dje Këshilli i Ministrave lidhur me përfundimet e takimit koordinativ të zhvilluar dje në Vjenë mes tre kryeministrave të rajonit, kryeministri shqiptar, Edi Rama, kryeministrit të Kosovës Isa Mustafa dhe kryeministrit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç në të cilin u diskutua rëndësia e ndërtimit të autostradës Nish-Prishtinë- Durrës. Në këtë takim ku morën pjesë edhe drejtuesit e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe Bankës Evropiane për Investime, si edhe ministri i Jashtëm austriak, Kurz dhe komisioneri Hahn, kryeministri Rama theksoi se projektet e mëdha të infrastrukturës, qoftë autostrada Nish-Prishtinë-Durrës, qoftë autostrada Adriatiko-Joniane, janë projekte evropiane, të cilat nxisin ndërlidhjen e vendeve të Ballkanit Perëndimor.


“Në këtë kuadër është e rëndësishme që ndërtimi i këtyre dy projekteve të fillojë sa më shpejt dhe për këtë nevojitet ekspertiza dhe mbështetja financiare e Komisionit Evropian dhe institucioneve financiare si BERZH-i dhe BEI-i. Ndërtimi i këtyre dy autostradave do të rrisë shkëmbimet tregtare në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe do të nxisë turizmin mes këtyre vendeve”, - deklaroi ai. Edhe homologu i tij serb, Vuçiç vuri theksin tek rëndësia e auostradës Durrës-Prishinë- Nish. “Falë këtij projekti, Beogradi do të lidhet me Prishtinën në më pak se tre orë, ndërkohë që porti i Durrësit do të kthehet në pikën më të afërt detare për Serbinë”, - deklaroi ai.


Ndërkohë ministri i Ekonomisë, Arben Ahmetaj ka sqaruar për TCH se gjatë Samitit kryeministri Rama ka hedhur idenë për ngritjen e unionit ekonomik rajonal dhe të Bankës Rajonale të Zhvillimit, ide të mbështetura nga kancelarja Merkel dhe nga institucionet e tjera të BE-së. Në një kohë që mbështetja financiare e BE-së është konkretizuar edhe në shifër konkrete. Zëvendëskancelali austriak për Çështjet Ekonomike, Reinhold Mitterlehner duke informuar për takimin e ministrave të Ekonomisë të vendeve të Ballkanit Perëndimor me përfaqësuesit e BE-së ka sqaruar se është rënë dakord për një mbështetje financiare prej rreth 600 milionë eurosh. “Biseda me ministrat ekonomikë të Ballkanit Perëndimor dhe BE-së: 600 milionë euro për zgjerimin e infrastrukturës”, - shkruan Mitterlehner në një koment në rrjetin social “Twitter”.


Fondet financiare do të jenë në mbështetje të dhjetë projekteve të listuara tashmë që përfshijnë përmirësimin e rrugëve, lidhjet hekurudhore dhe rrjetet e energjisë. “Një infrastrukturë që funksionon është çelësi për kushtet e ardhshme të orientuara të jetesës që i mbajnë njerëzit në vendin e tyre. Mundësitë për të rinjtë janë jetike për zgjidhur çështjen e refugjatëve”, - ka pohuar zëvendëskancelari austriak. Ai ka informuar gjithashtu se ministrat e Ekonomisë të vendeve të Ballkanit Perëndimor kanë sjellë 24 projekte të tjera të infrastrukturës në vlerë prej 7.7 miliardë euro në rrugë, që do të konkretizohet deri në Samitin e ardhshëm që do të mbahet në Francë.


Steinmeier: Të nxisim anëtarësimin e rajonit në BE
Ministrat e Jashtëm të vendeve të Bashkimit Evropian mbështesin anëtarësimin e vendeve të rajonit në BE si një mënyrë për të zgjidhur edhe krizën e emigrantëve. Në takimin me ministrat e Jashtëm të vendeve të Ballkanit Perëndimor në kuadër të Samitit të Vjenës, ministri i Jashtëm gjerman, Frank Steinmeier, u shpreh se: “nuk duhet të harrojmë përse ne nisëm procesin e Berlinit, për t’i dhënë shtytje pranimit të Ballkanit Perëndimor në BE dhe për të zgjidhur konfliktet në këtë rajon”. Duke u ndalur në krizën e refugjatëve, ministri i Jashtëm gjerman Steinmeier u shpreh se: “ne duhet të arrijmë një marrëveshje për shpërndarjen e refugjatëve”.


Ndërsa homologu austriak, Sebastian Kurz, tha se Evropa duhet të fokusohet më së shumti në rrugët ballkanike nëpër të cilat kalojnë emigrantët. “Shpresojmë që Evropa do të mund të gjejë një zgjidhje për krizën e refugjatëve”, theksoi ai. Komisioneri Hahn u tha ministrave të jashtëm të Ballkanit se të 28 vendet anëtare të BE-së duhet të punojnë bashkë. “Ato vende të cilat nuk janë prekur nga kriza e refugjatëve nuk duhet të qëndrojnë indiferentë, pasi në muajt në vijim të tjera vende do të preken nga kjo krizë”, - tha ai. Ditmir Bushati, ministër i Jashtëm i Shqipërisë, deklaroi se bashkëpunimi rajonal duhet të jetë më i fokusuar në gjithëpërfshirjen dhe të mundësojë një bashkëpunim më eficent.


Më të lexuarat