Secondary Adv

Vendimi i qeverise: Ndalohet perdorimi i qeseve plastike nga qershori i 2022

Qeveria planifikon që të ndalojë përfundimisht përdorimin e qeseve plastike duke filluar nga 1 qershori i vitit të ardhshëm.

 

Gjatë fjalimit të sotëm në Kuvend, Rama kërkoi nga industria e prodhimit të qeseve që të rishikojnë planet e tyre të biznesit pasi shumë shpejt në treg nuk do të lejohet përdorimi i plastikës. “Mjedisi do të jetë prioritet. Asnjë qindarkë nuk do të jepet për bashkitë nëse ata nuk garantojnë pastërtinë e mjedisit. Asnjë investim i ri pa respektuar mjedisin nuk i vlen fare komunitetit. Asnjë tolerim pushtetit vendor për të gjitha ndërtimet pa leje. Ne duam ta bëjmë Shqipërinë e 2030 absolutisht kampione të turizmit në Ballkan. Që ta bëjmë këtë duhet të garantojmë pastërtinë dhe paprekshmërinë e paligjshme të turizmit.

 

Vija bregdetare Shqipërisë, një mrekulli e Zotit dhe një pasuri që populli ynë duhet të përfitojë çdo ditë e më shumë duhet bërë si vija e Atdhedashurisë. Patriotizmi nuk është të urresh një komb tjetër por të bësh atë që duhet për vendin tënd. Në qershorin e vitit tjetër ndalohen përfundimisht qeset plastike. Nuk do të ketë asnjë tolerancë. Nuk jemi të parët që e bëjmë, duhet ta kishim bërë me kohë. Mesazh im për industrinë që prodhon qeset plastike është që të mos kërkojnë lëshim sepse kjo është një dëm për të ardhmen e vendit.

 

Shqipëria nuk është një vend i pasur por nuk mund të jetë absolutisht një vend i papastër. Do të anulohen lejet dhe licencat absurde për të ricikluar mbetje me demek të riciklueshme kazan në kazan, duke ndotur mjedisin. Mos kërkoni lëshime nga qeveria. Dita e fëmijëve, 1 qershori, do të jetë dita e çlirimit nga qeset plastike“, tha Rama. Krahas tyre, kryeministri paralajmëroi edhe bashkitë për mbledhjen dhe administrimin e plehrave duke kushtëzuar pastërtinë me çeljen e fondeve të pakushtëzuara nga Buxheti i Shtetit.

 

“Shumica  e re qeverisëse do të vendosë një parim të panegociueshëm në shpërndarjen e fondeve për bashkitë: Në fillim pastërtia dhe pastaj gjërat e tjera. Rritja e konsumit dhe turizmit nuk mund të shoqërohet me rritjen e papastërtive. Ose thënë shqip, rritja e sasisë së plehrave. Bashkitë që nuk pastrojnë plehrat nuk do të fitojnë asnjë lloj granti të pakushtëzuar nga Buxheti i Shtetit. Pastërtia do të kthehet në kryefjalën e çdo qeverie lokale”, tha Rama./Burimi: abcnews.al


Më të lexuarat