Tarifa 5 euro per Rrugen e Kombit, 4 kompani ne gare
Katër kompani kanë dorëzuar ofertat pranë Ministrisë së Transportit për t’u bërë pjesë e garës së dhënies me koncesion të autostratës Milot-Morinë, me qëllim ndërtimin, operimin, mirëmbajtjen dhe rehabilitimin e saj.
Gjithçka është gati për garën e shpallur lidhur me vendosjen e pagesës në Rrugën e Kombit. Katër kompani kanë dorëzuar deri tani ofertat pranë ministrisë së Transportit dhe Infrastrukturës për t’u bërë pjesë e garës së koncesionit në autostradën Milot-Morinë, me qëllim ndërtimin, operimin, mirëmbajtjen dhe rehabilitimin e saj. Burime nga ky dikaster bënë të ditur se hapja e ofertave dhe vlerësimi i tyre do të bëhen duke nisur nga 15 shtatori.
Rruga e Kombit, sipas vendimit qeveritar, pas kësaj do të mund të kalohet vetëm duke paguar një tarifë të caktuar. Për kompanitë e interesuara koncesionare data 23 mars ka qenë afati i fundit për dorëzimin e kërkesës për kualifikim. Ministria do të ketë në dispozicion 180 ditë për të vlerësuar ofertat përkatëse, duke bërë parakualifikimin, për të skualifikuar ato oferta që nuk plotësojnë dokumentacionin e duhur. Deri më tani, nga drejtuesit e këtij institucioni është thënë që taksa për kalimin në këtë rrugë parashikohet të jetë rreth 5 euro. Duket se kompania e përzgjedhur do të jetë ajo që ka një ofertë rreth kësaj vlere.
Duke lidhur Milotin, rreth 60 km në veri lindje të Portit të Durrësit në detin Adriatik, me Morinën në kufirin e Kosovës, rruga formon seksionin qendror të autostradës Kosovë Shqipëri, që lidh Durrësin me Prishtinën, dhe në të kalojnë një numër i lartë automjetesh, çka do të thotë se çdo kompani ka inters për të fituar tenderin.
Objektivi kryesor i këtij koncesioni është përmirësimi i autostradës, funksionimi dhe mirëmbajtja efektive e saj. Koncensioni do të zgjasë për një periudhë 30 vjeçare dhe kompania fituese do të mbledhë dhe të mbajë të ardhurat nga taksa dhe në këmbim do të ketë përgjegjësinë për të zbatuar dhe financuar përmirësimet e autostradës, të ndërtojë një urë të re mbi lumin Drin në Kukës dhe të zbatojë punimet më urgjente gjeoteknike të stabilizimit. Dhënia me koncension e rrugës së Kombit është lajmëruar dy vjet më parë, por duket se tashmë nuk ka më kthim mbrapa.