Ndryshon ligji per hipotekat, rregullat e reja per marrjen e certifikates se pronesise
Ligji për hipotekat i jep mundësinë çdo qytetari të aplikojë për të marrë certifikatën e pronësisë.Nëse ndërtuesi ka aplikuar për hipotekën, atëherë qytetarët duhet të presin derisa procesi të mbyllet.
Në rastet ku ndërtuesi ka falimentuar ose ka braktisur procesin atëherë hipotekimi mund të realizohet nëpërmjet aktit noterial që ai ka nënshkruar me ndërtuesin, në momentin kur e ka blerë apartamentin.
Sipas udhëzimit nr.3 të Qeverisë për regjistrimin e lejes ndërtimore dhe akteve noteriale, të miratuar në vitin 2012, qytetarët të cilët kanë kontratën e blerjes të firmosur nga ndërtuesi, mund të marrin hipotekën, gjithmonë nëse është regjistruar leja e ndërtimit.
“Mbi bazën e lejes së ndërtimit të regjistruar në regjistrin e veçantë, me kërkesë të personave të interesuar, Zyra e Regjistrimit të Pasurive të paluajtshme regjistron në regjistër edhe aktet noteriale të lidhura ndërmjet zhvilluesit të pronës, në cilësinë e investitorit dhe pronarëve të truallit apo blerësve/porositësve të njësive individuale, që përbëjnë strukturën që do të ndërtohet".
Formula e re per regjistrimin e pallateve Bashkia e Tiranës do të ndërhyjë për t’i dhënë zgjidhje çështjes së pallateve që nuk kanë marrë hipotekë. Një grup pune i ngritur nga Kryebashkiaku Erion Veliaj po diskutojnë mënyrën se si do të hipotekohen pallatet, për të cilat është bllokuar procesi.
Burime nga Bashkia e Tiranës thanë se grupi i punës do të identifikoj fillimisht të gjitha zonat dhe pallatet në Tiranë të cilat nuk kanë hipotekë. Më pas do të bëhet dhe një kategorizim i objekteve në varësi të problematikat që ka secili.Pas kësaj analize do të vijohet me mbylljen e procesit për objektet që janë në fazën përfundimtare dhe duke vijuar me kategoritë e tjera. Burimet thanë se të parët që do të përfshihen në proces do të jenë banorët e pallateve ku është aplikuar nga ana e ndërtuesit për të marrë hipotekën por nuk është mbyllur procedura.