Bonusi i lindjeve: Shperndahen 22 mln USD, ezaurohet fondi i parashikuar
Ndërsa kanë mbetur edhe 4 muaj për të mbyllur vitin 2021, fond i parashikuar të shpërndahet si bonus për lindjet e reja në të gjithë vendin është ezauruar.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, deri në fund të Gushtit, kanë shkuar për nënat që kanë sjellë në jetë një fëmijë, 2.2 miliardë lekë në total apo 22 milionë dollarë, aq sa është edhe fond i parashikuar për të gjithë vitin, gjë që do ta detyrojë Ministrinë të bëjë rishikim të buxhetit dhe të akordojë më shumë financa në këtë drejtim për të mbuluar lindjet deri në Dhjetor. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një vitit më parë gjatë Janar-Gusht 2021 janë shpërndarë 430 milionë lekë më shumë, ndërkohë që buxheti total për këtë zë ka pësuar rritje.
Por ky tregues jo gjithnjë ecën në sinkron me numrin e lindjeve, pasi sipas treguesve të INSTAT, të paktën për gjysmën e parë të këtij viti lindshmëria është në rënie, ku regjistrohen afro 2700 lindje më pak. Ndërkohë që sipas formulës së bonusit për bebet, qeveria ofron 40 mijë lekë për beben e parë, 80 mijë lekë për beben e dytë dhe 120 mijë lekë për beben e tretë. Në gjysmën e parë të vitit regjistrohen afro 12 mijë lindje.