Teatri i Kukullave dhe Qendra Kombetare per Femije transferohen tek Liqeni: Shpallet projekti
Ministria e Kulturës ka shpallur tenderin për hartimin e një projekti, për ndërtimin e një qendre multi-funksionale për fëmijë.
Projekti i “Qendrës Kombëtare për Fëmijë dhe Teatri i Kukullave”, konsiston në kalimin në një godinë të vetme, të Qendrës Kombëtare të Kulturës për Fëmijë, si dhe Teatrit të Kukullave, të cilat aktualisht ndodhen në dy zona të ndryshme. Referuar projektit, vendndodhja e re do të jetë Parku i Liqenit, përgjatë rrugës Dora Distria, përpara kryqëzimit me rrugën Sami Frashëri. “Qendra do të përkufizojë minimalisht sa vijon: Salla ekspozimi, Teatër kukullash, Hapësira mësimi dhe rekreacioni, Mjedise ndihmëse dhe funksionale, Mjediset publike, në funksion të aktiviteteve kulturore” shkruhet në detajet e projektit.
Afati kohor për hartimin e projektit është 1 muaj, që nga nënshkrimi i kontratës me subjektin fitues, ndërsa fondi i vënë në dispozicion është 41.6 milionë lekë./Burimi: Scan TV