
Planet e reja urbane, cdo banor duhet te kete 53 m2 hapesire
As më pak, as më shumë, por 53.1 m² është norma e sipërfaqes për një banor në njësitë e banimit, sipas rregullores së re të planifikimit të territorit. Standardet janë miratuar më 29 korrik 2015 nga Këshilli i Ministrave, në një shtojcë të rregullores së propozuar nga ministrja e Zhvillimit Urban.
Rregullat, kushtet, standardet dhe treguesit e planifikimit të territorit dhe projektimit urban janë të detyrueshme për t’u zbatuar për çdo dokument planifikimi dhe zhvillimi të hartuar në nivel qendror apo vendor. Në dallim nga rregullorja e vitit 2011, tashmë e shfuqizuar, qeveria ka detajuar konkretisht mënyrën e shfrytëzimit të territorit, duke mos ua lënë në dorë institucioneve (bashkive, Agjencia e Planifikimit të Territorit dhe KKT), vendosjen e koeficienteve apo llogaritjen e hapësirave të gjelbra dhe publike.
Tri kategoritë
Standardet e planifikimit për zonat e banimit duhet të aplikohen në njësi ose zona me prioritet zhvillimi, që kanë përdorim homogjen banimi ose qëllimin kryesor të përdorimit të tokës për banim. Ato ndryshojnë sipas numrit të popullsisë në territore urbane dhe kategorizohen për tri grupe kryesore: deri në 10 000 banorë; mbi 10 000 banorë; mbi 100 000 banorë.
Kushtet e jetesës
Standardet minimale të planifikimit për zonat dhe njësitë e banimit në radhë të parë përcaktojnë sipërfaqen bruto të banimit për banor, e cila përbëhet nga sipërfaqet e banimit të hapësirave të ndenjes dhe çlodhjes, gatimit, fjetjes, nyjave sanitare, të shkallëve dhe ashensorit. Për të tria kategoritë e zonave, sipërfaqja e banimit për çdo person duhet të jetë 25 m². Po kaq e rëndësishme është hapësira e gjelbër.
Sipas kësaj rregulloreje, çdo personi duhet t’i takojë 9 m² gjelbërim, ndërsa në zonat e vogla nën 10 mijë banorë, kjo sipërfaqe duhet të jetë minimumi 4.5 m². Një element tjetër është sipërfaqja për kopshte, çerdhe, shkolla 9-vjeçare. Sipas kësaj rregulloreje, për çdo banor duhet të ketë 4.5 m² çerdhe, kopsht ose shkollë 9-vjeçare. Përjashtim bëjnë njësitë urbane me më pak se 10 mijë banorë, ku kjo sipërfaqe planifikohet 4 m². Për çdo njësi banimi planifikohet edhe hapësira publike për aktivitete sociale. Sipërfaqja për struktura me përdorim publik për aktivitete fetare, sociale, shëndetësore, sanitare, administrative, jo në nivel qyteti duhet të jetë jo më pak se 2 m² për banor. Ndërsa, sipërfaqja sportive, sipas rregullores së re, duhet të planifikohet jo më pak se 1.6 m² për banor.
Sipërfaqja për parkim publik është ajo që mungon aktualisht në çdo qytet. Por, qendrat e reja të banimit nuk do ta kenë këtë problem, sepse, sipas kësaj rregulloreje, duhet që hapësira e parkimit publik të jetë jo më pak se 6 m² për banor. Rregullorja e planifikimit për njësitë e banimit përcakton edhe sipërfaqen për shërbime tregtare të kufizuara dhe zyra, jo në nivel qyteti. Kjo hapësirë mund të jetë në struktura të veçanta ose në strukturën e banimit. Hapësira tregtare duhet të jetë jo më e vogël se 5 m² për banor. Hapësira totale e detyrueshme për planifikim për çdo banor është 53.1 m².
Parkimi
Rregullorja vendos edhe standardet minimale të parkimit. Për parkimin publik, pavarësisht formës së zgjidhjes së tij, hapësira duhet të jetë 6 m² për banor ose 1 vend parkim prej 12 m² për çdo dy banorë. Për hapësirën e parkimit të dedikuar për objekte me përdorim jo banim, është 12 m² për përdorues dhe llogaritet mbi bazën e fluksit mesatar deri në maksimal 24-orësh të përdoruesve të objektit. Për parkimin privat për objekte banimi, pavarësisht formës së zgjidhjes së tij, hapësira duhet të jetë 15 m² për familje ose apartament. Në të gjitha rastet duhet të parashikohen vendparkime për personat me aftësi të kufizuara. Parkimi mund të jetë privat ose publik dhe format e zgjidhjes janë në rrugë, në sheshe publike, në sipërfaqe mbi ose nën tokë, në struktura me një ose disa nivele dhe në pjesë të objekteve me përdorime të ndryshme.
Arsimi
Përveç strukturave universitare dhe spitalore, rregullorja e planifikimit urban përcakton edhe standardet minimale të planifikimit për strukturat publike të arsimit dhe shëndetësisë. Për çerdhet llogaritet një e tillë çdo 1 000 banorë dhe 25-30 fëmijë për 1 000 banorë. Në zona rurale llogaritet një çerdhe çdo 1000 banorë dhe 13-15 fëmijë për 1000 banorë.
Rrezja e shërbimit të çerdhes në vijë ajrore është 200-300 metra; në varësi të numrit të grupeve, një çerdhe planifikohet të jetë 25 m² – 30 m² për fëmijë, ndërsa parcela e çerdhes është 900 m² – 1500 m² dhe përmban të gjitha shërbimet e parashikuara nga ministria. Ndërkaq, llogaritet një kopsht për çdo 1500 banorë me rreze të shërbimit të kopshtit në vijë ajrore 250-350 metra në zona urbane dhe 500-600 metra në zona rurale. Në varësi të numrit të grupeve, një kopsht planifikohet 18 m² -25 m² për fëmijë, kurse parcela e kopshtit është 1000 m² – 1500 m² dhe përmban të gjitha shërbimet e duhura sipas ligjit. Nëse një strukturë përmban edhe kopsht edhe çerdhe, planifikimi, projektimi dhe ndërtimi bëhet mbi bazën e standardeve minimale për të dyja strukturat, duke përdorur vlerat që garantojnë standardin më të mirë. Për shkolla fillore dhe 9-vjeçare llogaritet një godinë për çdo 6000 banorë. Rrezja e shërbimit të shkollës në vijë ajrore është 500-600 metra në zona urbane dhe 1000 – 1500 metra në zona rurale.
Në varësi të numrit të klasave, një shkollë planifikohet sipas 20 m² -25 m² për nxënës, ndërsa në varësi të numrit të klasave, parcela e shkollës duhet të jetë 1500 m² – 7000 m² dhe të përmbajë të gjitha shërbimet e duhura sipas ligjit. Për shkolla të mesme llogaritet një objekt për çdo 9000 banorë. Sipas rregullores, kjo shkollë duhet të ketë sipërfaqe 1.5 m² për banor, ndërsa rrezja e shërbimit në vijë ajrore të jetë 1000 – 1500 metra në zona urbane dhe 2000 – 4500 metra në zona rurale. Në varësi të numrit të klasave, një shkollë e mesme planifikohet 20 m² – 30 m² për nxënës. Në varësi të numrit të klasave, parcela e shkollës është 2000 m² – 7000 m² dhe përmban të gjitha shërbimet e parashikuara nga Ministria e Arsimit. Nëse shkolla e mesme ka konvikt me 100 -400 vende, parcela është 4000 m² – 9000 m² dhe planifikohet 25-35 m² për nxënës.
Më të lexuarat








