Secondary Adv

Zvicra vendos kufizime te reja per udhetaret jashte BE: Mes vendeve dhe Shqiperia

Udhëtarët nga Shqipëria, Armenia, Azerbajxhani, Brunei, Japonia dhe Serbia, prej 27 shtatorit për të hyrë në Zvicër duhet t’i nënshtrohen kufizimeve të reja.

 

Ndryshimi i rregullave të hyrjes për mbërritjet nga këto vende vjen pasi ato janë hequr nga lista e vendeve dhe rajoneve të sigurta dhe janë përfshirë në listën e zonave me rrezik të lartë, pas shtimit të numrit të rasteve të koronavirusit në territorin e tyre. Nga ana tjetër, Uruguai tani është përfshirë në listën e zonave të sigurta dhe vizitorët nga ky vend mund të hyjnë në Zvicër, duke filluar nga e hëna e ardhshme. Sipas një njoftimi për shtyp nga Këshilli Federal Zviceran, shtetasit e huaj që vijnë nga një vend i listuar me rrezik të lartë, veçanërisht turistët, nuk mund të hyjnë në Zvicër nëse nuk kanë dëshmi të vaksinimit me një vaksinë të njohur në Zvicër.

 

“Personat me një pasaportë zvicerane ose me leje qëndrimi të vlefshme, mund të hyjnë në Zvicër nga çdo vend, në çdo kohë. Të gjithë personat që hyjnë në Zvicër duhet të paraqesin një formular hyrjeje. Për më tepër, të gjithë personat që nuk janë vaksinuar ose nuk janë shëruar, duhet të paraqesin një rezultat negativ të testit,” vëren Këshilli.

 

Cilat vaksina COVID-19 janë miratuar për hyrjen në Zvicër: Këshilli ka njoftuar se të gjithë personat që janë vaksinuar me një vaksinë të miratuar nga Agjencia Europiane e Barnave (EMA), përfshirë ato jashtë BE-së, do të jenë në gjendje të aplikojnë për një certifikatë zvicerane COVID-19. Ata që janë shëruar nga koronavirusi në gjashtë muajt e fundit, do të kenë gjithashtu të drejtë të marrin dokumentin.

 

Personat e vaksinuar me vaksina që nuk janë miratuar nga EMA, do të jenë në gjendje të marrin një certifikatë zvicerane vetëm nëse kanë leje qëndrimi në Zvicër, dhe vaksina me të cilën janë vaksinuar është miratuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH). Kërkesa për teste COVID-19 është rritur që nga 10 shtatori, duke rezultuar në kosto shtesë prej rreth 160 milion CHF për qeverinë federale. Deri në fund të nëntorit, kjo kosto do të rritet me një shtesë prej 120 milion CHF.

 

Numri i rasteve të koronavirusit në Zvicër çdo ditë ka rënë kohët e fundit. Deri tani, vendi, i cili ka një popullsi prej 8.545 milion banorësh, ka regjistruar 828.336 raste të COVID-19 dhe 10.592 vdekje nga virusi./Burimi: Monitor (https://www.monitor.al/zvicra-vendos-kufizime-te-reja-per-udhetaret-nga-6-vende-jashte-be-se-mes-tyre-edhe-shqiperia/)


Më të lexuarat