Secondary Adv

Linja 400 kv me Maqedonine e Veriut, Loti 1: Hapen aplikimet per leje ndertimi

Linja e transmetimit 400 kv Shqipëri-Maqedoni për pjesën shqiptare ka mbërritur tashmë në fazën e aplikimit për lejen e ndërtimit.

 

Administratori i Operatorit të Sistemit të Transmetimit në një intervistë për “Monitor” në numrin special të 200 kompanive dha detaje edhe mbi ecurinë e këtij projekti i cili prej vitesh përflitet si ndër investimet e mëdha në sektor. “Për Lotin 1 ka përfunduar hartimi i projektit dhe jemi në fazën e aplikimit për Lejen e Ndërtimit ne KKT, ndërsa për Lotin 2 vazhdon procesi i hartimit të projektit” tha Drenova. Ai nënvizon rëndësinë që ka kjo linjë sa i takon mënyrës sesi do të zhvillohet sektori i energjisë në zonën jugore të vendit ku parashikohen investime në burime të reja.

 

“Ky projekt përforcon lidhjet interkonektive me rrjetin rajonal të energjisë elektrike, duke krijuar kushte për shkëmbime tregtare dhe tranzitime pa kufizim të energjisë elektrike në rajon, zhvillon rrjetin 400 kV në zonën Jugore të Shqipërisë ku parashikohen të zhvillohen burimet e ardhshme të prodhimit të energjisë elektrike, dhe si pjesë e infrastrukturës së Korridorit të VIII Evropian, krijon mundësi të mira për lidhje nëpërmjet kabllit nënujor me Italinë” shprehet Drenova.

 

Ndërtimi i linjës 400 kv me Maqedoninë vjen në një kohë kur Shqipëria tashmë ka disa linja të tilla aktive me shtete fqinje, më e fundit me Kosovën e cila pas shumë peripecive nisi funksionimin. Linja me Maqedoninë do të zbatohet falë financimit të siguruar nga Bashkëpunimi Gjerman Shqiptar i Zhvillimit, ku Qeveria Gjermane përmes KfW, tashmë ka angazhuar fonde për një kredi të zhvillimit deri në 50 milion Euro për qeverinë shqiptare. Përveç kësaj, është vënë në dispozicion një grant nga Fondi për Investime në Ballkanin Perëndimor prej 13.7 milionë euro ndërsa 1.31 milionë të tjera u angazhuan nga ky fond për pjesën e dizajnit kryesor. Qeveria pritet të financojë nga fondet e saj për projektin rreth 5 milionë euro.

 

OST bën me dije se kjo linjë me kosto totale 70 milionë euro do të jetë 130 km e gjatë dhe do të ketë dy nënstacione 400kV. Nënstacioni i Fierit do jetë edhe qendra, e cila do të akomodoje burimet më të mëdha të prodhimit të energjisë së rinovueshme nga dielli dhe era. “Jo më pak e rëndësishme është dhe rruga digjitale që do të ndërtohet. Kjo rrugë digjitale do të rrisë aftësinë komunikuese midis dy vendeve me kapacite 200 giga/sek në hapin e parë” vlerëson OST./Burimi: Monitor (https://www.monitor.al/linja-400-kv-me-maqedonine-e-veriut-drenova-loti-1-ne-fazen-e-lejes-se-ndertimit/)


Më të lexuarat