BB perkrah skemen e ndihmes sociale ne Kosove: Ofron 47 mln euro kredi
Banka Botërore ka miratuar Projektin e Reformës së Sistemit të Ndihmës Sociale për Kosovën.
Sipas BB-së, mbështetja financiare për këtë projekt është 47 milionë euro kredi nga Asociacioni Ndërkombëtar për Zhvillim (IDA) me afat të shlyerjes për 30 vjet. “Kosova e ndan një pjesë të rëndësishme të buxhetit të saj për programet e mbrojtjes sociale, por efikasiteti dhe ndikimet rishpërndarëse të këtyre programeve mund të përmirësohen, veçanërisht në kontekstin e COVID-19. Banka Botërore i mbështet përpjekjet e Kosovës për ta reformuar Skemën e Ndihmës Sociale, në mënyrë që ajo të jetë më e paanshme, më efikase dhe më fleksibile, dhe kështu më e pajisur për të reaguar ndaj krizave në të ardhmen”, është shprehur Massimiliano Paolucci, menaxher i Bankës Botërore për Kosovë dhe Maqedoni të Veriut.
Konkretisht, ky projekt do ta mbështesë Qeverinë e Kosovës në reformimin e dizajnit të Skemës së Ndihmës Sociale (SNS), investimin në sistemet e ofrimit të SNS-së dhe rritjen e vlerës së benificioneve nga SNS-ja, për t’i zbutur efektet ekonomike të pandemisë COVID-19. Këtë projekt do të zbatojë Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve për një periudhë pesëvjeçare./Burimi: Monitor (https://www.monitor.al/bb-perkrah-reformimin-e-skemave-te-ndihmes-sociale-ne-kosove-ndahen-47-milione-euro-kredi/)