Rritja e cmimit te karburanteve ne nivel global: Shqiperia e dyta ne Rajon
Tregjet globale dhe ato vendase po përballen me një valë të rritjes së çmimeve në të gjithë artikujt, duke përfshirë dhe naftën e benzinën.
Nëse deri në fillim të javës së kaluar 1 litër naftë blihej me 167 lekë/litër, sot blihet me 177 lekë, ndërsa një litër benzinë blihej me 168 lekë/litër, aktualisht blihet me 179 lekë, me rritje mesatare 11 lekë për litër. Sipas të dhënave, Shqipëria bën pjesë në 25 shtetet me çmimin më lartë të naftës në botë, e renditur krah vendeve me nivel të lartë jetesë si Gjermania, Finlanda, Norvegjia, Zvicra dhe Francë. 5 vendet me çmimin më të ulët janë Venezuela, Irani, Arabia Saudite, Siria dhe Algjeria, të cilat konsiderohen si vende prodhuese të naftës ndërsa vendi me çmimin më të lartë është Hong Kong me 228 lekë/litër, ndjekur më pas nga Suedia me 220 lekë/litër dhe Norvegjia me 204 lekë/litër.
Krahasuar me rajonin, Shqipëria është renditur si vendi i dytë me një diferencë të ngushtë të çmimit me Serbinë. Konkretisht çmimi për 1 litër naftë në Serbi në fillim të javës së shkuar ishte 169.5 lekë/litër, ndërsa në Shqipëri 167 lekë/litër. Maqedonia e Veriut ka çmimin më të ulët të naftës, 122.4 lekë/litër, e ndjekur nga Bosnje-Hercegovina me 135.8 lekë/litër dhe Mali i Zi 150 lekë/litër. Shkak për ndryshimin e çmimit brenda një periudhe të shkurtër është rritja e çmimit të lëndëve djegëse në bursat ndërkombëtare, ndryshim që ka ardhur nga hapja graduale e ekonomive pas kufizime nga pandemia.
Një fuçi naftë gjatë muajit shtator është rritur nga 55 dollarë për fuçi në 80 dollarë. Por sipas Open Data Shqipëria dhe pse është vend prodhues i naftës ka çmime të larta për shkak të nivelit të taksave. Konkretisht shqiptarët paguajnë 5 zëra taksash mbi karburantet duke zënë kështu 60.1% të çmimit final të naftës./Burimi: Ora News