Sa do rendoje kriza e cmimeve: 57.8 per qind e buxhetit familjar per nevoja bazike
Shqiptarët po përballen tashmë prej disa muajsh me rritjen e çmimeve të ushqimeve dhe karburanteve.
Por sa kushton kjo rritje e çmimeve në buxhetet e familjeve shqiptare? Sipas të dhënave të Institutit të Statistikave, një familje shpenzon 41.1% të totalit të buxhetit për ushqime, 10.9% për shpenzime për “banesën, ujë, energji elektrike, qira të paguar” dhe 5.9% për transport. Pra në total 57.8% e totalit të buxhetit mujor shkojnë për mbulimin e këtyre nevojave të përditshme dhe të domosdoshme. Përballë rritjes së çmimeve në këto tre zëra, pesha në buxhet rritet ndjeshëm dhe bëhet gati e papërballueshme për një kategori të qytetarëve, ku përfshihen pensionistët, familjarët me paga të ulëta apo ata me ndihmë ekonomike.
Sipas të dhënave të INSTAT, klasa I, që konsiderohet më e varfra, shpenzon gati 54% për ushqime, 17.5% për energji, ujë e qira dhe 2.2% për transport, me një total prej gati 74% të shpenzimeve totale, që shkon për mbulimin e nevojave bazike. Nga ana tjetër, një rritje e mundshme e energjisë, krahas asaj të karburanteve do të shkaktojë një reaksion zinxhir me shtrenjtimin edhe të produkteve dhe shërbimeve të tjera./Burimi: A2CNN