Secondary Adv

Sektori minerar, shpallen 62 zona te rrezikshme dhe revokohen 18 leje

Qeveria do të marrë masa të ashpra për të kthyer në binarët e ligjit sektorin minerar në vend e veçanërisht zonën e Bulqizës aty ku regjistrohen me qindra jetë minatorësh të humbura si pasojë e kushteve të sigurisë.

 

Hapi i pare është ai i miratimit te 62 zonave te rrezikshme ne te cilat nuk do te lejohet ushtrimi i asnje aktiviteti minerar. Ndërsa 18 leje minerare do të revokohen pasi rezultojne pjeserisht ose plotesisht ne territorin e rrezikshem. Ministri Gjiknuri, në një dalje për mediat lajmëroi sot se janë miratuar, pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave, miratimin e zonave të rrezikshme minerare. “ Vendimi rishikon dhe përcakton 62 zonat e rrezikshme minerare, kryesisht në Bulqizë dhe Batër, në të cilat do të jetë e ndaluar dhënia e lejeve dhe ushtrimi i aktivitetit minerar. Konkretisht, në rajonin krommbajtës të Bulqizës, do të ndalohet ushtrimi i aktivitetit minerar në një pjesë të Zonës D e cila konsiderohet me rrezikshmëri për jetën.”- tha Gjiknuri, duke shtuar se ky përcaktim i zonave të rrezikshme do rrisë sigurinë për jetën e minatorëve.

 

Ministri tha se do të revokohen tërësisht lejet kur zonat tyre të shfrytëzimit janë vendosur në pjesën më të madhe mbi zonën e rrezikshme. Ai bëri më dije edhe se revokohen pjesërisht lejet kur zonat e tyre të shfrytëzimit janë vendosur një pjesë mbi zonën e rrezikshme. “Në total, janë rreth 18 leje shfrytëzimi të cilat do të revokohen duke patur si objektiv kryesor rritjen e sigurisë në punë dhe ndalimin e aktivitetit në pjesën e rrezikshme. Në koordinim me Policinë e Shtetit dhe Inspektoratin e Punës do të bëhet monitorimi i këtyre zonave të rrezikshme që të ndalohet çdo aktivitet ilegal që cënon jetën e qytetarëve.

 

Ministri gjithashtu shprehu në formën e retrospektivës gjendjen e sektorit minerar ndër vite, duke thënë se është vendosur nën kontroll ndryshimet e herë pas hershme të kufijve në zonat minerare duke u vënë fre zgjerimeve të pakontrolluara. “Kemi sanksionuar me ligj rehabilitimin progresiv mjedisor duke detyruar subjektet të ngrijnë fondin për rikthimin e mjedisit në gjendjen e para shfrytëzimit minerar. Janë mbyllur 119 galeri të braktisura dhe për vitin 2015 janë planifikuar të mbyllën 64 galeri të tjera.Ulja me 5 vjet e moshës së daljes në pension apo dyfishimi i pensioneve për 3840 minatorë, sot është një realitet.”- tha Gjiknuri.


Ministri theksoi se po punohet intensivisht për zhvillimin e sektorit në tërësi dhe industrisë përpunuese në veçanti. “Është bërë e mundur fillimi i punës dhe janë investuar mbi 6 milion dollarë për hapjen e pusit të thellësisë në Bulqizë që do i zgjasë jetëgjatësinë minierës. Vazhdon puna për hapjen e traverbankut të Qaf buallit dhe traverbankut të Klosit, që shërben për shkarkimin e të gjitha ujërave të vendburime të Bulqizës. Janë investuar mbi 3 milion USD të tjera në impiantin e seleksionimit të kromit në Klos, Uzinën e Ferrokromit Burrel dhe Uzinën e Ferrokromit Elbasan. Është rritur me 35% sasia e ferrokromit të prodhuar, krahasuar me vitin e parë të qeverisjes.


Pritet që të ketë investime në sektorin e bakrit në minierat e Perlatit dhe Spaçit. Gjithashtu priten investime në minierën e bakrit në Rehovë dhe në atë të hekurnikelit në Myc, Mamez, Kukës. “- tha ministri, duke njoftuar në fund se këtë vjeshtë do të vihet në punë fabrika e pasurimit të kromit në Kalimash, ku janë investuar rreth 7 milion dollarë.


Më të lexuarat