Secondary Adv

Kredite me probleme ne nivelin me te ulet qe nga janari i vitit 2009

Raporti i kredive me probleme në fund të muajit gusht shënoi një rekord të ri në rënie për 12 vitet e fundit.

Sipas informacionit nga Banka e Shqipërisë, ky tregues zbriti në nivelin 6.9%. Kjo është shifra më e ulët e regjistruar që prej muajit janar 2009. Pas pandemisë, rritja e raportit të kredive me probleme ishte një nga shqetësimet kryesore për bankat dhe rregullatorët. Në fillimet e pandemisë, Banka e Shqipërisë parashikonte në analizat e saj të brendshme se raporti i kredive me probleme mund të rritej deri në 15%.

Deri tani, ecuria e raportit të kredive me probleme po shfaqet dukshëm më e mirë se të gjitha parashikimet. Vitin e kaluar, raporti rezistoi në nivele të qëndrueshme, edhe falë masave administrative për menaxhimin e situatës, siç ishin shtyrja e pagesave apo ristrukturimi i kredive pa përkeqësuar statusin e huamarrësit.

 

Masat që lehtësonin ristrukturimet ishin në fuqi deri në fund të marsit të këtij viti dhe për shkak të afateve standarde për klasifikimin e kredive me probleme pritej që efekti i tyre të vërehej duke filluar nga mesi i këtij viti. Por, një gjë e tillë nuk ka ndodhur, madje raporti i kredive me probleme ka vazhduar të ulet më shumë. Përmirësimi i ekonomisë reale me ritme edhe më të mira se parashikimet duket se ka luajtur një rol të rëndësishëm në ruajtjen e cilësisë së protoflit të bankave.

 

Për tremujorin e dytë 2021, Prodhimi i Brendshëm Bruto u rrit me 17.9%, ndërsa në vlerë absolute tejkaloi nivelet e 2019, para pandemisë. Përmirësimi ekonomisë vlerësohet se ka shëndoshur bilancet dhe aftësinë paguese të subjekteve huamarrëse. Në mesin e këtij viti, BSH vlerësonte se stoku i kreidve me probleme kishte vlerën e 370 milionë eurove ose 11% krahasuar me fundin e vitit të kaluar.

 

Kjo tregon se masat e përkohshme në përgjithësi e kanë arritur qëllimin e tyre, që ishte dhënia e kohës së mjaftueshme që gjendja financiare e huamarrësve të rimëkëmbej nga pasojat e pandemisë. Që nga mesi i vitit të kaluar deri në mesin e këtij viti, sektori bankar ristrukturoi 27 miliardë lekë. Pjesa dërrmuese e kredisë së ristrukturuar, rreth 90%, është kredi e marrë nga bizneset.

Një rol po aq të rëndësishëm në rënien e raportit të kredive me probleme ka pasur rritja e kreditimit. Në fund të muajit gusht, portofoli total i kredisë për ekonominë arriti në 631.8 miliardë lekë, në rritje me 6.6% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Zmadhimi i portofolit total të kredisë ka ndihmuar në uljen e peshës relative të portoflit të kredive të këqija.

 

Nga ana tjetër, vijimësia e kreditimit ka ndikuar raportin e kreidve edhe në kuptimin cilësor, sepse vijimësia e mbështetjes financiare ka ndihmuar aktivitetin normal ekonomik të sektorit privat./Burimi: Revista Monitor https://www.monitor.al/kredite-me-probleme-bien-poshte-kufirit-te-7-ne-nivelin-me-te-ulet-prej-janarit-2009/


Më të lexuarat