Bizneset paralajmerojne protesta per shkak te rritjes se cmimeve
Bizneset e vogla dhe të mesme do të fillojnë protestat kundër rritjes së çmimeve.
Shoqata e këtyre sipërmarrjeve thotë se brenda pak ditësh këto subjekte do të ulin qepenat pasi po marrin një tjetër goditje nga reaksioni zinxhir i rritjes së çmimeve. Këto sipërmarrje kërkojnë nga qeveria një strategji stabilizuese të çmimeve pasi ende nuk kanë rikuperuar humbjet nga pandemia.
Bizneset e vogla dhe të mesme paralajmërojnë protesta ndaj rritjes së çmimeve duke ulur qepenat në ditët në vijim. Përfaqësues nga shoqata e bizneseve të cilët thonë se ka nisur të ndihet kriza ekonomike nga konsumatorët të cilët po i dërgon bizneset e tyre drejt falimentimit.
“Ne jemi në diskutim me anëtarësinë tonë dhe kemi vendosur që të organizojmë një protestë, me mbyllje qepenash, si shenjë për t’i thënë qeverisë të reflektojë sepse biznesi është në ditë të hallit dhe është shumë delikat.”
Akuzave për rritje të çmimeve abuzive Bujar Muço ,përfaqësues nga shoqata e biznesit, i kundërpërgjigjet me barrën e rëndë të kostove që ka biznesi i cili është i lidhur drejtpërdrejte nga karburantet, ushqimet,etj. “Të gjitha këto produkte duke ardhur në ngritje dhe duket sikur ne kemi ngritur çmimet.
Biznesi i vogël dhe i mesëm nuk janë ndikues në rritjen e çmimeve. Ndikues në rritjen e çmimeve janë produktet që vijnë nga importi. Përsa i përket naftës dhe energjisë, janë dy produkte që ndikojnë drejtpërdrejt në biznesin e vogël.” Në Shqipëri operojnë 108 mijë biznese të vogla dhe të mesme dhe rritja e çmimit të energjisë, shumë prej tyre mund ti shtyjë drejt falimentimit.
“Po të shikoni, çdo ditë mbyllen mijëra biznese largohen nga vendi, mijëra biznese falimentojnë”. Operatorët e biznesit kërkojnë nga qeveria një strategji stabilizuese të çmimeve për t’i dhënë bizneseve një frymëmarrje të re sipërmarrjeve të cilat ende nuk e ka marrë veten nga pandemia./Burimi: OraNews