Secondary Adv

Inflacioni 2.4 per qind ne muajin gusht, shkak nafta dhe ushqimet

Banka e Shqipërisë bën të ditur se, inflacioni shënoi vlerat 2.2% dhe 2.4% në muajt korrik e gusht, duke ardhur në rritje kundrejt gjashtëmujorit të parë të vitit.


Rritja e inflacionit pasqyroi, më së shumti, rritjen e çmimeve të ushqimeve dhe të naftës, ndërkohë që inflacioni i artikujve të tjerë të shportës nuk pësoi ndryshime të ndjeshme. Në këndvështrimin makroekonomik, Banka e Shqipërisë gjykon se, rritja e inflacionit pasqyroi goditjet që vijnë nga ambienti i huaj, si pasojë e rritjes së çmimeve në tregjet ndërkombëtare.


Sipas BSH-së, çmimet e lëndëve të para, të ushqimeve dhe të produkteve energjetike, kanë njohur një rritje të shpejtë gjatë muajve të fundit. Kjo rritje ka pasqyruar si rimëkëmbjen e kërkesës botërore, ashtu edhe vështirësitë që ka pasur rikthimi i ofertës në nivelet e parakrizës.


Projeksionet aktuale flasin për një normalizim të situatës gjatë vitit të ardhshëm, duke sugjeruar se ndikimi i saj në çmimet finale të konsumit do të jetë i ndjeshëm, por kalimtar. Megjithatë, ecuria e çmimeve të produkteve energjetike dhe të lëndëve bazë vijon të mbetet në vëmendjen e bankave qendrore në të gjithë botën.


Nga ana tjetër, vlerëson BSH-ja, presionet inflacioniste të gjeneruara nga ekonomia e brendshme paraqiten në rritje, por ende të përmbajtura. BSH-ja, shprehet se do të vazhdojë me politikën monetare stimuluese dhe synon të arrijë objektivin e inflacionit 3 %, brenda vitit 2022./Burimi: ATSH


Më të lexuarat